Turp në ‘Dall’Ara’, fishkëllima nga një pjesë e tifozëve të Bologna-s gjatë minutës së heshtjes për Rocco Commisso
Një episod i shëmtuar ka njollosur ndeshjen Bologna–Fiorentina në “Renato Dall’Ara”, para fillimit të derbit të Apenineve. Gjatë minutës së heshtjes së mbajtur në nderim të presidentit të Fiorentinës, Rocco Commisso, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, nga një pjesë e tifozëve së Bologna-s u dëgjuan fishkëllima dhe zëra shqetësues, në një moment që duhej të ishte i mbushur vetëm me respekt.
Ndërsa lojtarët e të dyja skuadrave ishin të rreshtuar në rreth në mesin e fushës, disa tifozë nuk e respektuan ceremoninë, duke krijuar reagime të menjëhershme edhe nga vetë tribuna, ku shumë të pranishëm i ftonin të heshtnin. Fatmirësisht, pjesa tjetër e stadiumit reagoi me një duartrokitje të gjatë dhe të fortë, e cila mbuloi fishkëllimat dhe riktheu dinjitetin e momentit.
Fiorentina kishte përgatitur një homazh të veçantë për presidentin e saj. Gjatë nxehjes, lojtarët vjollcë u shfaqën me një fanellë përkujtimore me numrin 1, mbishkrimin “Grazie Rocco” dhe një foto të Commisso-së. Para fillimit të ndeshjes, e gjithë skuadra, bashkë me stafin teknik dhe lojtarët e grumbulluar, u drejtua pranë sektorit të tifozëve të Fiorentinës, ku ishte shpalosur një banderolë me mesazhin “Ciao presidente”. Aty u realizua edhe një foto simbolike me numrin 5, i lidhur me figurën e Commisso-së.
Një moment që duhej të bashkonte futbollin në respekt dhe njerëzi, u njollos nga një sjellje e papranueshme, që ka ngjallur reagime të forta dhe polemika në Itali.