Alarm gjatë udhëtimit për testet mjekësore, avioni i Marc Guéhi detyrohet të shtyjë uljen në Manchester

Transferimi i Marc Guéhi-t drejt Manchester City ka pasur një moment dramatik këtë mëngjes, kur avioni privat që transportonte mbrojtësin anglez për testet mjekësore u detyrua të anulonte uljen në aeroportin e Manchesterit. Qendërmbrojtësi 25-vjeçar është shumë pranë kalimit nga Crystal Palace te kampionët në fuqi të Anglisë, por gjithçka u shoqërua me tension në orët e para të ditës.

Sipas raportimeve, avioni privat ishte shumë pranë pistës rreth orës 08:42, kur pilotët u detyruan të merrnin vendimin për të anuluar uljen dhe të fluturonin sërish mbi qendrën e qytetit. Më pas, avioni u drejtua mbi stadiumin “Etihad”, përpara se të merrte lejen për t’u ulur. Sipas vëzhguesve të aviacionit, shkak i situatës ishte një avion më i madh që kishte hyrë papritur në pistë.

Guéhi ndodhet në Manchester për të kryer vizitat mjekësore, përpara se të firmosë me skuadrën e Pep Guardiolës. Manchester City ka arritur marrëveshje me Crystal Palace për një shifër prej rreth 20 milionë paundësh, një operacion i konsideruar i favorshëm, veçanërisht pas dëmtimeve të Josko Gvardiol dhe Rúben Dias.

Kapiteni i Palace pritet të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare. Edhe pse ishte pranë largimit si lojtar i lirë në verë, oferta e City-t ka bindur mbrojtësin anglez.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, Guéhi mund të bëjë debutimin e tij në Premier League me fanellën e City-t që javën e ardhshme ndaj Wolves, duke u bërë përforcimi i dytë i merkatos dimërore pas Antoine Semenyo.