Këshilli i Paqes për Gazën, Trump kërkon 1 mld dollarë nga shtetet që duan një vend të përhershëm!

Administrata e Donald Trump ka kërkuar që vendet që duan të sigurojnë një vend të përhershëm në Këshillin e Paqes për Rripin e Gazës të kontribuojnë të paktën 1 miliard dollarë, sipas projekt-statutit të këshillit që ka siguruar Bloomberg.

Sipas dokumentit, Trump do të jetë presidenti i parë i këshillit dhe do të vendosë se cilët shtete ftohen si anëtarë. Vendimet do të merren me shumicë votash, ku çdo vend ka një votë, por gjithçka do të jetë nën miratimin e presidentit.

“Çdo vend-anëtar do të ketë një mandat jo më shumë se tre vjet, me mundësi rinovimi nga Presidenti. Afati trevjeçar nuk do të zbatohet për vendet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë në vitin e parë të funksionimit,” thuhet në projekt-statutin.

Kritikët e këtij projekti shprehin shqetësim se Trump po tenton të krijojë një alternativë apo version konkurrues të OKB-së, të cilën e ka kritikuar për vite me radhë.

Këshilli përshkruhet si “organizatë ndërkombëtare që synon të promovojë stabilitetin, të rivendosë qeverisje të ligjshme dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikte”. Ai do të marrë statusin zyrtar kur tre shtete-anëtare të bien dakord mbi statutin, sipas Bloomberg.

Trump gjithashtu do të ketë kompetencën për të miratuar stemën zyrtare të organizatës dhe ka ftuar disa liderë botërorë, përfshirë presidentin e Argjentinës, Javier Milei, dhe kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, për të marrë pjesë në Këshillin e Paqes për Gazën.