SYRI TV/ Rama ligj për kapjen e Policisë Bashkiake, do të ketë në varësi të gjitha strukturat e vendit

Kryeministri Edi Rama po planifikon që të marrë nën kontrollin e tij dhe Policitë Bashkiake. Në projektligjin i cili është mbajtur i fshehtë dhe është siguruar nga Syri Televizion, parashikohet krijimi i drejtorisë së përgjithshme të policive bashkiake teksa drejtori i përgjithshëm do të ketë në varësi të gjitha policitë bashkiake. Drejtori i Policisë bashkiake do të jetë në varësi të ministrit të Brendshëm dhe do të zgjidhet me të njëjtën procedurë si drejtori i përgjitshëm i policisë së shtetit.

Nga Syri tv

Pasi ka kapur të gjitha institucionet në vend, kryeministri Edi Rama nuk ndalet në projektet e tij për të kapur dhe ato të cilat nuk i ka nën kontrollin e tij. Pasi bashkive i ka hequr kompetencat e lejeve të ndërtimit, të cilat kalojnë nëpërmjet AZHT-së, Rama ka hartuar një projekt për të shtrirë kontrollin e tij dhe në policitë bashkiake në të gjithë vendin. Syri Tv ka siguruar draftin i cili është mbajtur i fshehtë megjithëse sipas thirrjes së ministrisë së Brendshme duhet të diskutohej në publik nga 18 dhjetori në 15 janar.

Sipas parashikimit të këtij ligji, do të krijohet Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Bashkiake, e cila do të jetë në varësi të ministrit të Brendshëm. Drejtori i Policisë Bashkiake do të zgjidhet me të njëjtën formulë si drejtori i policisë së Shtetit me mandate 5 vjeçar dhe do të ketë në varësi 61 policitë bashkiake në vend.

Sipas ligjit të propozuar nga qeveria Rama, dhe punonjësit e policisë bashkiake, por dhe shefat e policive bashkiake, do të emërohen nga drejtori i përgjithshëm, nëpërmjet një konkursi të kontrolluar nga ky i fundit. Sipas ligjit, për drejtorin e policisë bashkiake verdikti përfundimtar do të jepet nga kryetari i bashkisë, por emrat janë të përcaktuar nga drejtori I përgjithshëm i policisë bashkiake, duke i marrë në këtë mënyrë kompetencat.

Ligji parashikon që në momentin e hyrjes në fuqi, të gjitha pozicionet në policitë bashkiake të vendit suprimohen dhe i nënshtrohen riorganizimit nëpërmjet duke iu përshtatur ligjit të ri, duke i kthyer në këtë mënyrë dhe policitë bashkiake ashtu si ujësjellësat në varësi të qeverisë. Prej muajsh kryeministri Edi Rama ka nisur një fushatë për rrëmbimin e kompetencave të pushtetit lokal. Fillimisht me aksionin për lirimin e hapësirave publike dhe më pas me emërimin dhe shkarkimin e zv/kryebashkiakëve dhe drejtorëve në disa bashki të vendit.