Rritet numri i shpendëve në liqenin e Pogradecit, vijon censusi dimëror

Vijon procesi i censusit të shpendëve dimërues në liqenin e Pogradecit, ku këtë vit ekspertët e mjedisit kanë evidentuar një rritje të dukshme të numrit të shpendëve në brigjet liqenore. Sipas specialistëve, ky zhvillim lidhet kryesisht me zhvendosjen e shpendëve nga liqeni i Prespës drejt Pogradecit, për shkak të kushteve më të favorshme për qëndrim dhe ushqim.

Eksperti i mjedisit, profesori Spase Shumka, thekson se dinamika e popullsisë së shpendëve ndikohet nga një sërë faktorësh natyrorë dhe njerëzorë. Ai nënvizon se përfundimi i moratoriumit të gjuetisë, si edhe urbanizimi i shpejtë i zonës së Pogradecit me ndërtime të larta pranë vijës liqenore, përbëjnë sfida serioze për ruajtjen e habitateve natyrore.
Ndërkohë, specialisti i zonave të mbrojtura, Gani Bego, bën të ditur se censusi po zhvillohet njëkohësisht në të dyja anët e liqenit të Ohrit, ku grupe monitorimi nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po punojnë së bashku për evidentimin dhe regjistrimin e specieve të ndryshme të shpendëve.

Në këtë proces janë përfshirë edhe të rinj nga Pogradeci, të cilët këtë vit i janë bashkuar ekspertëve në terren, duke kontribuar në monitorimin e shpendëve dimërues dhe duke fituar përvojë praktike në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Censusi i shpendëve dimërues zhvillohet prej vitesh në liqenet e Pogradecit dhe të Prespës dhe shërben si një tregues i rëndësishëm për gjendjen e biodiversitetit, si dhe për hartimin e politikave të qëndrueshme të mbrojtjes së zonave të mbrojtura.