Furnizonte farmacitë e Fierit me medikamente të skaduara kontrabandë, arrestohet 42-vjeçari (EMRI)

Në Fier është arrestuar një 42-vjeçar,  Bojken Bregovina, pasi dyshohet se magazinonte dhe hidhte në treg ilaçe të skaduara dhe medikamente të futura kontrabandë, pa faturë tatimore.

Gjatë kontrollit, u gjetën gjithsej 4,289 kuti me medikamente, ku një pjesë e konsiderueshme ishte e skaduar dhe pjesa tjetër pa dokumentacion të rregullt. Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi  Bojken Bregovina furnizonte farmacitë e qytetit me këto barna, me qëllim përfitimi.

'Nga hetimi ka rezultuar se ky shtetas, prej një periudhe të gjatë kohore, magazinonte medikamente të skaduara dhe më pas i hidhte në treg, duke furnizuar farmacitë e qytetit të Fierit, me qëllim përfitimi"

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.

Njoftimi i Policisë:

Fier

Goditet një rast i hedhjes në treg të ilaçeve të skaduara dhe të ilaçeve të futura kontrabandë, pa faturë tatimore.

Finalizohet pas një pune hetimore disamujore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, operacioni policor i koduar “Skadenca”.

Magazinonte në banesë medikamente të ndryshme pa faturë tatimore dhe një pjesë të konsiderueshme të skaduara, të cilat më pas i hidhte në treg duke furnizuar farmacitë e qytetit të Fierit, kapet dhe vihet në pranga 42-vjeçari.

Sekuestrohen, në cilësinë e provës materiale, 1635 kuti me ilaçe të ndryshme të skaduara, si dhe 2654 kuti pa faturë tatimore, që dyshohet se janë futur kontrabandë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare, pas një pune hetimore disamujore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e siguruara nga hetimi, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Skadenca”.

Bazuar në provat e siguruara nga hetimi, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka vendosur lejimin e kontrollit të banesës në pronësi të shtetasit B. B.

Si rezultat i kontrollit janë gjetur gjithsej 4289 kuti me medikamente të ndryshme, ku një sasi e konsiderueshme e tyre ishte e skaduar dhe pjesa tjetër pa faturë tatimore.

Nga hetimi ka rezultuar se ky shtetas, prej një periudhe të gjatë kohore, magazinonte medikamente të skaduara dhe më pas i hidhte në treg, duke furnizuar farmacitë e qytetit të Fierit, me qëllim përfitimi.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. B., 42 vjeç, banues në Fier.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasit B. B., për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.