1 miliardë dollarë për të qenë anëtar i përhershëm i Bordit të ri të Paqes, Çfarë dimë deri tani
Bloomberg
Alberto Nardelli e Alex Wickham
Administrata e Trump po u kërkon vendeve që duan një vend të përhershëm në Bordin e ri të Paqes të kontribuojnë të paktën 1 miliard dollarë.
Sipas një draft-kartë për grupin e propozuar, të parë nga Bloomberg, Presidenti Donald Trump do të shërbente si kryetari i parë dhe do të vendoste se cilët ftohen si anëtarë.
Vendimet do të merreshin me shumicë votash, me nga një votë për çdo shtet anëtar të pranishëm, por të gjitha do t’i nënshtroheshin miratimit të kryetarit.
“Çdo Shtet Anëtar do të shërbejë për një mandat jo më të gjatë se tre vjet nga hyrja në fuqi e kësaj Karte, me mundësi rinovimi nga Kryetari. Mandati trevjeçar nuk zbatohet për shtetet që kontribuojnë më shumë se 1,000,000,000 USD në fonde cash për Bordin e Paqes brenda vitit të parë nga hyrja në fuqi e Kartës,” thuhet në draft.
Kritikët shprehin shqetësimin se Trump po përpiqet të ndërtojë një alternativë, apo rival, të OKB-së, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të cilat ai i ka kritikuar prej kohësh.
Bordi përshkruhet në kartë si “një organizatë ndërkombëtare që synon të promovojë stabilitetin, të rivendosë qeverisje të besueshme dhe të ligjshme, dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”. Ai do të bëhej zyrtar sapo tre shtete anëtare të bien dakord për kartën.
Trump do të ishte gjithashtu përgjegjës për miratimin e vulës zyrtare të organizatës, sipas dokumentit.
Trump ka ftuar disa liderë botërorë, përfshirë presidentin e Argjentinës Javier Milei dhe kryeministrin e Kanadasë Mark Carney, për të qenë pjesë Bordit të Paqes për Gazën, i cili do të formohej nën ombrellën e Bordit të ri të Paqes.
Ky plan tërhoqi kritika të menjëhershme nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili tha se detajet nuk ishin koordinuar me Izraelin.
Sipas burimeve të njohura me çështjen, disa vende evropiane janë ftuar të bashkohen me bordin e paqes. Drafti duket se sugjeron që vetë Trump do të kontrollonte fondet, gjë që do të konsiderohej e papranueshme për shumicën e vendeve që mund të bashkoheshin potencialisht, thanë burimet, duke folur në kushte anonimiteti.
Disa shtete e kundërshtojnë fuqishëm draftin e kartës së Trump dhe po punojnë për ta refuzuar kolektivisht propozimin, shtuan burimet.
Një zyrtar amerikan i konfirmoi Bloomberg News se, ndonëse anëtarët mund të bashkohen falas, tarifa prej 1 miliard dollarësh do të siguronte anëtarësim të përhershëm. Fondet e mbledhura do të përdoren drejtpërdrejt për të përmbushur mandatin e Bordit të Paqes për rindërtimin e Gazës, tha zyrtari, duke shtuar se bordi do të sigurojë që pothuajse çdo dollar i mbledhur të përdoret për këtë qëllim.
Sipas draft-kartës, Bordi i Paqes do të mblidhet për seanca votimi të paktën një herë në vit dhe “në kohë dhe vende shtesë sipas vlerësimit të Kryetarit”. Axhenda do t’i nënshtrohej miratimit të kryetarit. Bordi do të mbajë gjithashtu takime të rregullta pa votim me bordin ekzekutiv, të paktën çdo tre muaj.
Trump do të kishte edhe fuqinë për të larguar një anëtar, me kusht që kjo të mos bllokohej nga një veto e shumicës prej dy të tretash të shteteve anëtare. “Kryetari do të caktojë në çdo kohë një pasardhës për rolin e Kryetarit,” thuhet në kartë.
Të premten, Shtëpia e Bardhë njoftoi një panel të parë ekzekutiv që do të përfshinte Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të dërguarin për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, dhëndrin e Trump Jared Kushner dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair, përpara formimit të bordit të plotë.