‘Ura e Milotit, më e rrezikuar se kurrë’/ Deputetja e PD, Hoti: Ku shkoi fondi 1 milion euro për ndërhyrjen emergjente?

Ndërhyrja emergjente për mbrojtjen e themeleve të Urës së Milotit, me fond limit 1 milion euro, duket të jetë një tjetër rast i qartë i menaxhimit të dështuar dhe i përdorimit të fondeve publike për interesa klienteliste.

Deputetja e PD-së, Elda Hoti ka reaguar në lidhje me ndërhyrjen e pretenduar në Urën e Milotit, që sipas ligjvënëses, po rrezikon izolimin e qytetarëve .

‘Sot, realiteti është i pamëshirshëm: këmbët e urës janë ende të dëmtuara, qarkullimi i automjeteve mbetet i bllokuar, ndërsa qytetarët e Milotit dhe të gjithë veriu i vendit vazhdojnë të ndihen të braktisur’, shkruan Hoti.

Hoti pyet se, ku kanë shkuar 1 milion eurot e dhëna për këtë urë? 

Reagimi i deputetes së PD, Elda Hoti:

Ndërhyrja emergjente për mbrojtjen e themeleve në Urën e Milotit, me fond limit 1 milion euro.

Një tjetër tender i dyshimtë, i mbështjellë me mjegullën e aferave dhe interesave klienteliste, që ekspozon edhe një herë fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie.

Sot, pas të ashtuquajturit investim emergjent realiteti flet vetë, këmbët e urës janë qartësisht të dëmtuara, ndërsa qarkullimi i automjeteve vijon të jetë i bllokuar. Paratë publike janë shpenzuar, por siguria nuk është garantuar.

Ku shkuan 1 milion eurot?

Kush mban përgjegjësi për një ndërhyrje që jo vetëm nuk zgjidhi problemin, por la qytetarët të izoluar dhe të rrezikuar?

Kjo nuk është paaftësi. Kjo është grabitje e organizuar e fondeve publike.

Qytetarët e Milotit dhe gjithë veriu i vendit janë lënë të braktisur,

Infrastruktura po shembet, ndërsa përgjegjësit fshihen pas tenderëve emergjentë dhe heshtjes institucionale.

Një arsye se pse ura e Milotit është ne këtë situatë është edhe marrja pa kriter e inerteve.