'Po luani lojë të rrezikshme!' Pse Trump vendosi tarifa doganore për 8 shtetet e BE-së që dërgojnë trupa në Groenlandë

Strategjia e fundit Presidenti Trump  për të marrë kontrollin e Groenlandës është: vendosja e tarifave doganore ndaj një blloku vendesh europiane, derisa të arrihet një marrëveshje për shitjen e Groenlandës te Shtetet e Bashkuara.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara aplikojnë një tarifë prej 10% për importet britanike dhe 15% për importet nga Bashkimi Europian, pas marrëveshjeve të kufizuara tregtare të arritura me të dyja qeveritë vitin e kaluar. Tarifat e reja, me gjasë, do të vendosen mbi këto nivele ekzistuese dhe mbetet për t’u parë se si do të reagojnë partnerët e tjerë tregtarë.

Duke komentuar vendimin e Trump, Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, tha se po “koordinon një përgjigje të përbashkët”.

Po cilat janë detajet kryesore të njoftimit në platformën e tij Truth Social dhe reagimet e fundit

Cilat vende janë në shënjestër?

Sipas Trump, vendet e prekura janë:
Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda.

Cilat janë shifrat dhe afatet

Nga 1 shkurti 2026, këto vende do të tarifohen me 10% për çdo lloj malli që dërgojnë në Shtetet e Bashkuara, shkruan Trump.
Nga 1 qershori 2026, tarifa do të rritet në 25%.
Këto taksa do të jenë në fuqi “derisa të arrihet një marrëveshje për blerjen e plotë dhe totale të Groenlandës”.

Cili është arsyetimi i Trump?

Në fillim të postimit të tij, Trump shkruan se “është koha që Danimarka të japë mbrapsht – Paqja Botërore është në rrezik!”.

Ai pretendon se Kina dhe Rusia “e duan Groenlandën”, por sipas tij askush tjetër përveç SHBA-së “nuk mund të luajë këtë lojë”.

“Kjo është një situatë shumë e rrezikshme për sigurinë dhe mbijetesën e planetit tonë”, shkruan Trump, duke akuzuar vendet e përmendura se kanë krijuar “një nivel rreziku që nuk është i pranueshëm dhe as i qëndrueshëm”.

Për këtë arsye, sipas presidentit amerikan, duhet të merren masa të forta për të “mbrojtur paqen dhe sigurinë globale”.

Trump përmend gjithashtu sistemin e mbrojtjes “Golden Dome”( sistemin e avancuar të mbrojtjes raketore, i ngjashëm në koncept me “Iron Dome” të Izraelit) për të cilin thotë se “mund të funksionojë me potencial dhe efikasitet maksimal vetëm nëse kjo tokë përfshihet në të”.

Si reagoi BE?

Duke folur në një konferencë për shtyp, pak çaste pas njoftimit surprizë të Trump, Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa u shpreh:
“Bashkimi Europian do të jetë gjithmonë shumë i vendosur në mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar… i cili, sigurisht, nis brenda territorit të shteteve anëtare të Bashkimit Europian.”

Si reagoi Danimarka?

Politikanët danezë kanë nisur gjithashtu të reagojnë.

Kryetarja e Demokratëve Danezë, Inger Støjberg, i tha transmetuesit publik danez DR se Danimarka nuk duhet t’i nënshtrohet “metodave bullizuese të Trump”.

Ndërkohë, deputeti danez Pelle Dragsted shkruan në platformën X se kërcënimet me tarifa “duhet të përballen me solidaritet dhe rezistencë europiane”. Ai shton: “Mjaft është mjaft.”

Si reagoi Macron?  

Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se Franca mbetet e përkushtuar ndaj “sovranitetit dhe pavarësisë së kombeve”, teksa shpreh mbështetjen e tij për Groenlandën dhe Danimarkën.

Duke shkruar në platformën X, Macron thekson se “asnjë intimidim dhe asnjë kërcënim nuk do të na ndikojë”, ndërsa i cilëson kërcënimet e Trump me tarifa si “të papranueshme”.

“Nëse ato konfirmohen, europianët do t’u përgjigjen në mënyrë të bashkuar dhe të koordinuar”, thotë ai.

“Ne do të sigurohemi që sovraniteti europian të respektohet.”

Cilat janë shtetet që po dërgojnë ushtarë në Groenlandë? 

Për të mbështetur Danimarkën dhe Groenlandën në këtë konflikt, disa vende evropiane anëtare të NATO-s vendosën të enjten një mision ushtarak zbulimi në Groenlandë. Ndër vendet që po dërgojnë ushtarë në Groenlandë bëjnë pjesë Norvegjia, Suedia, Finlanda, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Holanda.