Mashtrimi me call centerat/ Në kërkim 3 vëllezërit Prekaj, akuzohen si organizatorët e kësaj skeme
Gazetari i Syri TV, Fatjon Gjinaj, mëson emrat e 3 personave që janë në kërkim në lidhje me aktivitetin e mashtrimit përmes Call Centerave,
Mësohet se në kërkim janë tre vëllezërit Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj të cilët dyshohet se janë organizatorët e kësaj skeme që përmesmashtrimit kanë arritur të zhvasin dhjetëra miliona euro, qytetarëve të Bashkimit Evropian.
Ndërsa deri tani mësohet se 10 persona janë arrestuar, si të dyshuar si operatorë të call-center-ave.
Prej mbrëmjes së djeshme, SPAK dhe oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer rreth 33 kontrolle në disa zona të Tiranës, si pjesë e nisjes së një hetimi për mashtrime përmes call-center-ave.
Burime pranë SPAK konfirmuan se kontrollet janë kryer në zonat e Saukut, Astirit, Freskut, Laprakës, si dhe në qendrën e biznesit “4Ever Green ToWer”, e cila ndodhet përballë Kishës Ortodokse në qendër të kryeqytetit.
Lexo dhe: 33 kontrolle në Tiranë për call-center-at, dhjetë persona të arrestuar
Hetimet kanë pasur si indicie edhe një investigim të bërë nga emisioni italian “Le Iene”, prandaj dhe aksionet e djeshme, të kryera nga SPAK dhe të mbështetura nga Policia e Shtetit, janë mbikëqyrur edhe nga një grup gazetarësh të emisionit investigativ “Le Iene” në Itali të cilët bashkëpunuan me gazetarët e emisionit “Piranjat” në Syri Televizion si dhe përfaqësues të antimafias italiane që nisën fillimisht hetimin.
Gazetari Taulant Kopliku bëri të ditur faktin se ndonëse investigimet e tyre treguan zhurmimin e përditshëm të punës në këto qendra, sapo në lojë u futën autoritetet duket se gjithçka u zbraz, duke ngritur dyshime për dekonspirim.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar kompjuterë dhe sende të tjera dokumentare, të cilat besohet se kanë lidhje me një çështje mashtrimi ndaj qytetarëve të Bashkimit Europian. Rasti po ndiqet gjithashtu nga një prokuror i huaj dhe një prokuror shqiptar.
Skema bazohet në telefonata që përmes një investimi fillestar 250 euro, premtohen fitime të lehta dhe platforma dixhitale që simulojnë investime në situata të cilat në fakt nuk ekzistojnë.