Noka: ‘Durana’, fusha me bar më e shtrenjtë në botë

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ka komentuar projektin ‘Durana’ të Edi Ramës. Me një shënim në rrjetet sociale, Noka shkruan se, ‘Durana’ është fusha me bar më e shtrenjtë në botë.

Sipas tij, këtij projekt mafioz, i janë dhënë 140.400 metër katror trual në Xhafzotaj, ndërsa ‘Durana’ nuk ekzistonte pasi është regjistruar 11 muaj më vonë se ti falej toka.

Reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka:

Qeveria e kishte njoftuar me të madhe ngritjen e një parku teknologjik në Xhafzotaj, që do e shndërronte Shqipërinë në magnet të kësaj e asaj, fjalë pa mbarim.

Pas inceneratorëve, Edi Rama aplikon të njëjtën skemë korrupsioni:

Projekt imagjinar Vjedhje reale

Si fillim mendja e hajdutit krijon Korporatën Shqiptare të Investimeve. Kjo korporatë do zhvillojë pronat publike, që do të thotë se nga "publike" do i kalojë klientelës së Ramës ose kompanive të tij që "marrin hua" emra "pronarësh" të tjerë.

Pronar pa lindur

Në mars 2024, parkut teknologjik Durana i jepet 140.400 m² truall, ndërkohë që Durana nuk ekzistonte. Durana regjistrohet në QKB 11 muaj më vonë. Domethënë bëhesh pronar pa lindur.

Durana si inceneratori i Tiranës: Fantazmë.

Thuajse dy vjet nga koha që Durana u bë me tokë, atje nuk është vënë një tullë. Fushë me bar ishte, fushë me bar është. Porsi Djegësi i Tiranës, pirg me plehra ishte, pirg me plehra është.

Durana si Parajsa e Evazorëve Fiskalë

53 është numri i kompanive që bëri bashkë Durana. Asnjë prej tyre nuk merret me teknologji e inovacion. Me status të posaçëm ligjor dhe fiskal, këto kompani, ndryshe nga konkurrentët në treg, nuk do të paguanin 15% tatim mbi fitimin dhe liroheshin nga detyrime e përgjegjësi të tjera fiskale, ai taksa dhe kontributet për punonjësit. Populli ynë një situatë të tillë e përmbledh me dy fjalë: Pallë ariu

Këto 53 kompani nuk kanë shkuar as për një piknik te kjo fusha me bar e Duranës. Të ndiznin zgarën a të kositin barin. Veprimtarinë e tyre e ushtrojnë gjetkë, vetëm adresa e punës u rezulton kjo fusha me bar.

Pra Durana vepron si një Montecarlo brenda Shqipërisë; një shtet brenda shtetit; një territor ku nuk aplikon ligjet e shtetit shqiptar, por ato të Maliqit shqiptar.

Durana është fusha me bar më e paguar në botë. Do na kushtonte më lirë sikur çdo javë aty të luante Barça me Realin.