Berisha: Diaspora të organizojë protesta të fuqishme para ambasadave të narkoshtetit. Edi Rama ka asgjësuar Republikën
Kryedemokrati Sali Berisha u bën thirrje shqiptarëve në diasporë të intensifikojnë reagimin kundër qeverisë së Edi Ramës, duke organizuar protesta të fuqishme para ambasadave shqiptare në vendet e Bashkimit Europian.
Sipas tij, këto përfaqësi nuk përfaqësojnë më qytetarët, por një “narkoshtet” që ka shkatërruar Republikën, ka bllokuar drejtësinë dhe ka shkelur Kushtetutën. Berisha thekson se angazhimi i diasporës është vendimtar për ta bërë të njohur në arenën ndërkombëtare situatën që, sipas tij, po e çon vendin drejt një regjimi autoritar.
Pjesë nga bashkëbisedimi:
Shkëlqim Gjonpalaj: Në protestën e ardhshme do të rrimë 1 orë para kryeministrisë, apo do të bllokojmë të gjitha rrugët e Shqipërisë, se të vijmë nga Greqia në Tiranë që të pimë një kafe nuk kemi mundësi.
Sali Berisha: Unë të falënderoj shumë për pyetjen dhe gatishmërinë. Sugjerimi im për ju dhe të gjithë opozitarët në diasporë të organizojnë protesta para ambasadës që përfaqëson narkoshtetin shqiptar, në kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së dhe para këtyre ndërtesave në mënyrë që bota të mësojë se ato nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë, por përfaqësojnë narkoshtetin e Edi Ramës.
Përfaqësojnë kryeministrin më të korruptuar në Europë dhe botë, përfaqësojnë njeriun që me grusht shtetit po asgjëson edhe sistemin e drejtësisë.
Paulin Mete: Po nuk u bëmë ne palë, nuk ikën Rama. A duhet t’i bëjmë ne thirrje diasporës për protestë ndërkombëtare?
Sali Berisha: Diaspora është e ftuar të organizojë protesta të fuqishme pranë ambasadave të narkoshtetit. Republika nuk ekziston më, Edi Rama e ka asgjësuar republikën. Në një vend ku kushtetuta shkelmohet, ku drejtësia bllokohet, Republika është një letër e vdekur.
Ndaj dhe të ndërmerrni protesta të fuqishme para ambasadave, të gjuani vezë dhe domate në drejtim të tyre, si dhe protesta pranë institucioneve ndërkombëtare për të demaskuar Ramaduron, ndërtuesin e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
Miliarderin, hajdutin më të madh që kanë patur shqiptarët në të gjitha kohërat.