Mitsotakis injoron Ramën: Bën deklarata të papërshtatshme gjithmonë…
Deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama në një forum ndërkombëtar në Abu Dhabi kanë shkaktuar reagime dhe tensione në Greqi, duke rikthyer edhe një herë në vëmendje stilin qesharak të batutaxhiut të kreut të qeverisë shqiptare në raport me çështje të ndjeshme të cilat hapin debate të panevojshme.
I pyetur mbi këtë temë gjatë një interviste për një emision mëngjesi në Greqi, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i ka cilësuar deklaratat e Ramës si “të papërshtatshme” dhe një “deklaratë të gjykuar gabimisht”, duke theksuar se ato nuk kontribuojnë në klimën e bashkëpunimit mes dy vendeve. Mitsotakis nënvizoi se kishte vënë re edhe një përpjekje të mëvonshme të Ramës për korrigjim, por pa i dhënë rëndësi të veçantë.
Qëndrimi i kryeministrit grek është interpretuar nga mediat dhe qarqet politike në Athinë si një injorim i retorikës së Ramës, i cili sipas kritikëve shpesh përdor deklarata të tilla për konsum të brendshëm apo për të tërhequr vëmendje ndërkombëtare, pa llogaritur pasojat diplomatike.
Deklaratat e Ramës lidhur me marrëdhënien mes grekëve modernë dhe atyre të lashtë kanë shkaktuar reagime të forta në opinionin publik grek, duke u parë si të panevojshme dhe provokuese në një moment kur marrëdhëniet dypalëshe kërkojnë maturi dhe seriozitet.
Ndërsa Mitsotakis zgjodhi një gjuhë të përmbajtur, kritikat indirekte ndaj Ramës ishin të qarta: Athina zyrtare nuk e konsideron këtë lloj diskursi si pjesë të dialogut të dobishëm mes dy vendeve fqinje, duke lënë të kuptohet se Tirana duhet të tregojë më shumë përgjegjësi në komunikimin publik.