Basketboll për femra: Flamurtari triumfon ndaj Prishtinës, fitore e dytë në Ligën Unike
Ekipi i Flamurtarit në basketboll për femra vazhdon formën e mirë në Ligën Unike, duke regjistruar dy fitore nga tre ndeshje të luajtura. Në ndeshjen e fundit, vlonjatet fituan pa vështirësi ndaj Prishtinës me rezultatin 72-55.
Takimi u vendos që në pjesën e parë, ku Flamurtari dominon në parket. Pas 10 minutave të para, rezultati ishte 22-14, ndërsa në fund të pjesës së parë, avantazhi u rrit në 42-18 falë një loje të organizuar dhe të shpejtë.
Edhe në pjesën e dytë, ekipi kosovar përpiqej të kthehej në lojë, por Flamurtari mbajti kontrollin, duke shënuar 14 pikë në periodën e tretë kundrejt 13 të Prishtinës, dhe duke kryesuar 56-31.
Në 10 minutat e fundit, loja u zhvillua kryesisht për statistika, ndërsa në parket u aktivizuan edhe të gjitha lojtaret e reja të skuadrës. Flamurtari mbylli ndeshjen me rezultatin 72-55.
Pas takimit, shefja e klubit shumësportesh Elona Hasanaj dhe basketbollistja Demaj e vlerësuan këtë fitore si shumë të rëndësishme për skuadrën në këtë kompeticion.
Tashmë, Flamurtari përqendrohet te kampionati vendor, ku të dielën do të presë në Vlorë ekipin e Studentit, ndërsa për Ligën Unike do të luajë të mërkurën sërish në Vlorë ndaj ekipit kosovar të Bashkimit.