Balliu: Përballja me kartelet e drogës nis vetëm me largimin e Edi Ramës nga pushteti

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në një postim në rrjetet sociale shkruan se, përballja reale me kartelet e drogës në Shqipëri është e pamundur pa largimin e Edi Ramës, që sipas tij, është garantues i imunitetit të krimit të organizuar.

Ai thekson se Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur luftën kundër karteleve të drogës në qendër të agjendës së sigurisë kombëtare dhe globale.

Deputeti bën thirrje për një qëndrim të qartë dhe të përbashkët kundër narko-terrorizmit dhe për mbështetje të filozofisë politike të presidentit amerikan Donald Trump, që synon goditjen e rrënjëve të krimit të organizuar dhe rikthimin e rendit dhe ligjit.

Reagimi i deputetit të PD, Klevis Balliu:

Në Shqipëri, përballja reale dhe efektive me kartelet e drogës fillon domosdoshmërisht me largimin e Edi Ramës, pasi është pikërisht ai që u ka garantuar atyre pushtet, imunitet dhe ndikim të drejtpërdrejtë mbi strukturat shtetërore, përmes mekanizmave politikë dhe institucionalë të kapur prej tij.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur luftën kundër karteleve të drogës në qendër të agjendës së tyre strategjike, duke e trajtuar atë si një çështje kyçe të sigurisë kombëtare dhe globale.

Sot kërkohet një qëndrim i qartë, i vendosur dhe i përbashkët: të bashkohemi pa ekuivok në mbështetje të betejës kundër narko-terrorizmit dhe t’i bashkohemi aksionit dhe filozofisë politike të presidentit Trump, e cila synon goditjen e rrënjëve të krimit të organizuar dhe rikthimin e rendit, ligjit dhe sovranitetit të shtetit.