Pas 13 vitesh në pushtet, Rama lodhet me propagandën e RTSH: Do e mbyllim

Pas 13 vitesh në pushtet, Edi Rama është kujtuar të flasë për Radio Televizionin Shqiptar.  Në fjalën e tij përmbyllëse gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS, ai u shpreh se RTSH duhet të shqyrtojë disa opsione siç janë mbyllje, riformatimi, privatizimi, ose dhe partneritetit, sepse sipas tij, nuk duhet të vijojë më siç është, ndryshe nuk do të ketë më taksë për televizionin.

Siç duket Rama është lodhur me propagandën e RTSH-së dhe për këtë arsye kërkon ta mbyllë.

‘Jemi munduar të krijojmë kushtet që televizioni publik të reformohet dhe kemi dështuar. Nuk e di çfarë do të bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i televizionit publik është dështim i suksesshëm. Që do të thotë nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja në mospërfillje.

Unë personalisht, hera e fundit që e kam parë televizionin publik ishte para vitit 1990, para përmbysjes, kur thonin ishin ca protesta. Që atëherë, unë nuk i kam parë. Kam shkuar, kam dhënë intervista, por as intervistat e mia nuk i kam parë.

Duhet ndarë mendja, drejtuesit e televizionit publik të gjithë e dinë, nga unë nuk kanë marrë kurrë asnjë mesazh sepse unë nuk e shoh. Dhe kur ndonjëri nga ju më dërgon mesazhi: ‘Shih ç’po bën televizioni publik’, unë habitem. Si e ndjek? Por ama të gjithë i kam takuar pasi janë zgjedhur.

Doni lekët tona, shkoni te qeveria. Nuk kemi për t’i dhënë televizionit publik asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, derisa televizioni publik t’i meritojë taksat e shqiptarëve.

Mendoj se çdo opsion duhet të jetë në tavolinë. Edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, përveç kësaj që është.' tha ndër të tjera Rama.