Platini-së s’i del e keqja me Infantinon: I pëlqejnë të pasurit dhe të fuqishmit, është bërë autokrat

Ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini, nuk kursen kritikat ndaj presidentit aktual të FIFA-s, Gianni Infantino, në një intervistë për ‘The Guardian’. Platini, që ka punuar ngushtë me Infantinon si nënkryetar i UEFA-s nga 2009 deri në 2015, tha:

“Ishte një numër dy i mirë, por nuk është një numër një i mirë. Punoi shumë mirë në UEFA, por ka një problem: i pëlqejnë të pasurit dhe të fuqishmit, ata që kanë para. Ky është karakteri i tij. Ishte kështu edhe kur ishte numër dy, por atëherë nuk ishte shefi.”

Platini shtoi se Infantino ka marrë një qëndrim më autokratik pas pandemisë: “Fatkeqësisht, është bërë edhe më autokratik. Ka më pak demokraci se në kohën e Sepp Blatter-it. Mund të thuash çfarë të duash për Blatter-in, problemi i tij kryesor ishte se donte të qëndronte në FIFA përjetë, por ai ishte një person i mirë për futbollin.”

Ish-lideri i UEFA-s shprehu edhe shqetësimin mbi administratorët e sotëm të futbollit: “Shumë prej tyre thjesht bëjnë punën e tyre dhe nuk kanë një interes të vërtetë për sportin.”

Platini ka qenë prej vitesh kritik i fortë i Infantinos dhe e ka akuzuar atë se i ka penguar kandidaturën për presidencën e FIFA-s, duke e quajtur qeverisjen e tij të sotme si autokratike dhe të privilegjuar ndaj të pasurve dhe të fuqishmëve.