VIDEO/ Shkëmbi: Absurde rritja e çmimeve, 350 mijë apartamente janë bosh. Kjo është situatë e rrezikshme
Eksperti imobiliar Armand Shkëmbi i ftuar në ‘Syri Digjita’ me Bled Markun në SYRI TV, ka folur në lidhje me çmimet e apartamenteve në Tiranë. Ai ka theksuar se, çmimet e apartamenteve në Tiranë janë të pajustifikuara për nivelin real të ekonomisë shqiptare dhe të ardhurat e qytetarëve. Sipas tij, rritja e çmimeve nuk lidhet as me rritjen e popullsisë, e cila është në rënie, as me rritjen e pagave, të cilat nuk kanë reflektuar trefishimin e çmimeve gjatë 10-15 viteve të fundit.
Shkëmbi argumenton se faktori kryesor është spekulimi masiv: kursimet e qytetarëve, emigrantëve dhe fitimet e bizneseve po orientohen drejt ndërtimit dhe blerjes së apartamenteve, duke u mbështetur në mitin se çmimet vetëm rriten. Kjo ka çuar në një përqendrim të rrezikshëm të kapitalit, ku rreth 20% e ekonomisë shqiptare lidhet me ndërtimin, përqindje shumë më e lartë se mesatarja europiane.
Ai vëren se një numër i madh banesash qëndrojnë bosh (rreth 50 mijë vetëm në Tiranë dhe rreth 350 mijë në gjithë vendin), por nuk dalin në treg për shitje apo qira, duke krijuar artificialisht mungesë dhe çmime të larta. Këto prona përfaqësojnë miliarda euro kapital të ngrirë, që nuk kontribuon në zhvillimin ekonomik.
Sipas Shkëmbit, kjo situatë ka ngjashmëri me skema piramidale dhe përbën rrezik serioz afatmesëm dhe afatgjatë për ekonominë. Ai propozon taksimin e pronave bosh dhe kapitalit të ngrirë për të nxitur qarkullimin, përdorimin e banesave dhe kufizimin e ndërtimit të panevojshëm, duke paralajmëruar se ndryshimi i psikologjisë së tregut mund të sjellë pasoja të rënda për të gjithë ekonominë.
‘Janë absurde për ekonominë e shqiptarit të thjeshtë, sepse pagat janë rritur diçka ndër vite, por jo që të reflektojnë këtë rritje çmimesh. Pra, ne nuk kemi arsye të logjikshme për këtë rritje çmimesh. Cilat do ishin arsyet?
Do ishin rritja e popullsisë, ndërkohë që ne kemi rënie të popullsisë. Duhet të kishim rritje të rrogave, dyfishim, trefishim derisa dhe çmimet janë trefishuar në 10 apo 15 vitet e fundit. Pra, këtu ka arsye jo racionale që çmimet vijnë në këtë nivel. Arsye të cilat unë nuk i di, por e di fare mirë që nuk janë nga nevoja reale e tregut.
Pra, spekulimi këtu është bërë masiv. Për çdokush që ka kursime në Republikën e Shqipërisë, emigrantët që janë andej jashtë, gjithkush që ka fitime nga biznesi vjen dhe investon në gropat e pallateve, sepse është krijuar miti që çmimet vetëm rriten dhe ti mund të fitosh.
Pra ne jemi duke i bërë një dëm shumë të madh ekonomisë sepse nuk po diversifikojmë ekonominë, por po çojmë 20% të saj vetëm në gropa pallatesh dhe do ta vuajmë këtë në afat të mesëm, afat të gjatë.
Si vjen? Nuk është çështje kostosh. Kjo është çështje kërkesë-ofertë në treg. Tani kemi një kërkesë normale që duan njerëzit për banesë apo për investim për t'i lënë me qira, pjesa tjetër që është shumica është spekulimi.
Pra, aty parkojnë lekët, aty fshehin lekët, aty qarkullojnë lekët, aty investojnë lekët. Është bërë kjo një, një lloj makinerie e madhe që thith 20% të ekonomisë shqiptare, që nuk është e shëndetshme, Europa e ka diku te 6% GDP-në pjesa e ndërtimit.
Mora fermerin, po mund të marr dhe agjentin imobiliar, mund të marr dhe berberin, kë të duash ti. Atë që ka një linjë prodhimi. Është e vështirë të bësh biznes të prodhosh. Pse mos t'i fusim lekët në gropa pallatesh e të dyfishohen këto kur të mbarojë pallati në dy apo tre vite.
Ka nuanca të firmave piramidale. Askush nuk bën pyetjet, ore, pse do rriten çmimet? Ku është populli që do hyjë, do banojë nëpër gjithë këto banesa? Janë bosh. Kanë qenë 50,000 që nga viti 2023 me censusin e qeverisë në Tiranë vetëm, se në gjithë Republikën e Shqipërisë janë 350,000 banesa bosh.
Pjesa më e madhe e tyre nuk janë në treg. Prandaj dhe kemi çmime kaq të larta. Po të dalësh sot në treg për të blerë pronë, vështirë të gjesh. Vetëm nëpër ato kantieret, në gropa thonë janë shitur, që nuk janë shitur, gënjejnë pra, duan me krijuar atë ndjesinë e mungesës që të rrisin çmimet dhe është ky problemi që këto prona nuk janë në treg për qira apo për shitje, prandaj dhe kemi çmime kaq të larta.
Edhe janë miliarda euro të ngrira. I quajnë lekë dembele që nuk futen nën ekonomi. Ky është dëm shumë i madh. Këto duhet të taksohen. Kapitali duhet të taksohet që të lëvizi. Taksohen pronat bosh që të hidhen në treg, të përdoren për qira, të përdoren për shitje dhe të ndalojë ndërtimi se e kemi shumë më shumë sesa na nevojitet.
Kësaj skeme herët a vonë do t'i vijë fundi Bledi. Nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Nuk kemi zbuluar një perpetuum mobile, që ne ndërtojmë, pasurohemi, i mbajmë aty bosh. Herët a vonë ndryshon psikologjia e tregut dhe njerëzit humbasin interesin për këtë produkt. Atëherë na bën shumë dëm në ekonomi. Jo vetëm në industrinë e pronave, por në gjithë ekonominë. Në afat të mesëm, afat të gjatë kemi përpara ca vite të vështira’, tha ndër të tjera Armand Shkëmbi në SYRI TV.