Ter Stegen drejt Girona-s, marrëveshja me Barcelonën pranë finalizimit

Marc-André ter Stegen është shumë pranë largimit të përkohshëm nga Barcelona. Sipas raportimeve të Cadena Ser, klubi katalanas ka arritur një marrëveshje parimore me Girona-n për huazimin e portierit gjerman deri në fund të sezonit. Nëse nuk do të ketë surpriza të mëdha në orët apo ditët në vijim, transferimi do të mbyllet së shpejti.

Bëhet fjalë për një huazim të thjeshtë, pa opsion blerjeje, ndërsa vetë Ter Stegen i ka dhënë dritën jeshile operacionit. Ende mbetet për t’u zgjidhur plotësisht çështja e pagës, por burime pranë negociatave bëjnë me dije se palët janë optimiste dhe po punojnë për detajet e fundit financiare.

Bisedimet mes Barcelonës dhe Gironës kanë nisur prej disa javësh dhe tani janë në fazën përfundimtare. Ky transferim do t’i mundësojë portierit të rikthehet te minutazhi i rregullt, diçka që ka munguar së fundmi, dhe të ruajë gjallë shpresat për një ftesë nga Julian Nagelsmann me kombëtaren e Gjermanisë në prag të Kupës së Botës 2026.

Nga ana tjetër, Barcelona e drejtuar nga Hansi Flick do të lehtësojë ngarkesën në repartin e portës dhe në buxhetin e pagave për pjesën e dytë të sezonit. Girona, ndërkohë, do të përfitojë një përforcim me përvojë të madhe ndërkombëtare, duke synuar të rrisë konkurrencën dhe sigurinë në prapavijë. Zyrtarizimi pritet së shpejti, sapo të mbyllen detajet e fundit kontraktuale.