SYRI TV/ 'Opera dhe Ballet Night' në skenën e TKOB, galaja për muzikën klasike dhe baletin
“Opera dhe Ballet Night”, mbrëmjen e 17 janarit, do të sjellë në skenën e TKOB një gala që ndërthur muzikën klasike, baletin dhe zërin lirik në një program të pasur artistik. Me vepra nga Hendel, Verdi, Puccini dhe Strauss, mbrëmja synon të krijojë një atmosferë festive dhe emocionale për publikun.
SYRI TV
“OPERA DHE BALLET NIGHT” do të sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, mbrëmjen e 17 janarit, një gala ku muzika klasike, baleti dhe zëri lirik do të ndërthuren në një program të pasur artistik. Një koncert i konceptuar si urim për fillimin e vitit, që synon të krijojë një atmosferë festive dhe emocionale për publikun.
Në qendër të kësaj mbrëmjeje do të jetë edhe rikthimi në skenë i balerinës Enada Hoxha, e cila do të interpretojë një koreografi të ndërtuar mbi paskalian e Hendelit, të shoqëruar në piano, me balerinin Dion Gjinika.
Programi i mbrëmjes së 17 janarit do të karakterizohet nga një shumëllojshmëri stilesh dhe autorësh, nga Hendel te Verdi, Puccini dhe Strauss, duke përfshirë opera, operetë, muzikë simfonike dhe koreografi klasike, neoklasike e moderne.
Në skenë do të ngjiten edhe solistë të njohur lirikë, mes tyre baritoni Artur Vera, i cili do të interpretojë një duet operistik me karakter të fortë teatral.
“Opera dhe Ballet Night”, mbrëmjen e 17 janarit, pritet të shndërrohet në një festë artistike, ku eleganca e skenës dhe virtuoziteti i interpretuesve do të sjellin një përjetim të veçantë për artdashësit.