Italia prezanton sot strategjinë 52-faqëshe për Arktikun, bën të qartë se nuk do të dërgojë trupa ushtarake në Groenlandë

Nga Alba Kepi

Italia ka përcaktuar rolin e saj në Arktik përmes një Strategjie të Politikës Artike të përmbledhur në një dokument prej 52 faqesh i cili paraqet një vizion afatgjatë dhe të integruar mbi një rajon me rëndësigjeopolitike, ekonomike dhe sigurie.

Ky dokument i quajtur “Politika Artike Italiane. Italia dhe Arktiku: vlerat e bashkëpunimit në një rajon në transformim të shpejtë”, përmban vizionin e Italisë për angazhimin në këtë rajon, duke përfshirë diplomacinë, sigurinë, kërkimin shkencor dhe zhvillimin ekonomik.

Në konferencën e prezantimit të Politikës Artike Italiane në Villa Madama sot (më 16 janar 2026,) morën pjesë disa figura kryesore të qeverisë dhe institucioneve italiane që kishin kontribuar në hartimin e dokumentit strategjik si Ministri i Jashtëm dhe Zv/kryeministri Antonio Tajani, i cili prezantoi dokumentin dhe theksoi rëndësinë e Arktikut për diplomacinë, ekonominë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, Ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto i cili shprehu për aspektet strategjikë të sigurisë dhe për rolin e Italisë në një rajon në transformim, duke theksuar nevojën për koordinim multilaterale dhe jo për veprime simbolike. Ministrja e Universitetit dhe e Kërkimit, Anna Maria Bernini, që përfaqëson fushën shkencore dhe kontribuoi në dimensionin kërkimor të planit, ndërsa Presidenti i Këshillit Kombëtar të Kërkimit, Andrea Lenzi, mori pjesë për të paraqitur aspektet shkencore dhe teknologjike të strategjisë.

Strategjia thekson nevojën për një veprim të koordinuar në nivel ndërkombëtar, duke vendosur në qendër NATO-n, Bashkimin Evropian dhe Kombet e Bashkuara. Ajo përjashton iniciativa të fragmentuara ose simbolike dhe nënvizon rëndësinë e ruajtjes së uniteti të aleatëve perëndimorë për të garantuar stabilitetin dhe për të parandaluar tensionet në rajon.

Në dokument evidentohet se ndryshimet klimatike po e shndërrojnë Arktikun në një nyje te re strategjike të komunikimit global, me hapjen e rrugëve të reja detare që në të ardhmen mund të ndikojnë ndjeshëm në tregtinë ndërkombëtare. Në këtë kuadër, synohet ruajtja e interesave ekonomike dhe tregtare përmes një pranie të qëndrueshme dhe aktive, si dhe pjesëmarrja në qeverisjen e këtyre korridoreve të reja.

Në aspektin e sigurisë, dokumenti parashikon angazhim në kuadër të iniciativave të NATO-s, forcim të kapaciteteve detare dhe ajrore dhe monitorim të zhvillimeve strategjike në rajon. Paralelisht, i jepet rëndësi kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit akademik, duke e konsideruar Arktikun një hapësirë kyçe për studimin e ndryshimeve klimatike dhe pasojave të tyre globale.

Në tërësi, strategjia 52-faqëshe përfaqëson një pozicionim të qartë politik dhe strategjik, duke e konsideruar Arktikun jo më si një rajon periferik, por si një komponent thelbësor të interesave kombëtare dhe të sigurisë evropiane, si dhe një fushë ku bashkëpunimi ndërkombëtar shihet si element vendimtar për stabilitetin e ardhshëm.