Arratisja e Ndocit, i 'ha' kokën e drejtorit të burgut Durrës, prangoset Indrit Cërloj! 'Arrest shtëpie' për shefen e Shërbimit Shëndetësor
Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për ish-drejtorin e Burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, i cili akuzohet për 'shpërdorim detyre', pas arratisjes së Altin Ndocit pak ditë më parë nga ambientet e spitalit të Durrësit
Tashmë pas shkarkimit nga detyra si drejtor i Burgut, Cërlojt i janë vendosur sot prangat ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar shkeljet në procedurën e shoqërimit të Ndocit nga qelia në spital, ku ai u paraqit për një vizitë mjekësore, informon gazetari Elton Qyno.
Masa 'arrest në shtëpi' iu komunikua dhe shefes së Shërbimit Shëndetësor në burg, Ylfete Sema e cila dhe ajo akuzohet për shpërdorim detyre.
Burime për gazetaren e Syri, Albana Aliaj, bëjnë me dije se ish drejtori i Burgut të Durrësit, është ndaluar nga Policia, teksa po i është komunikuar urdhërarresti me akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’.
Dy ditë më parë, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari firmosuri shkarkimin e Indrit Cërloj nga drejtor i IEVP Durrës.
Më 13 janar 2026, Ndoci u paraqit në spital dhe, pasi shkoi në tualet, doli duke goditur me grusht një prej efektivëve të policisë, e më pas u largua me vrap. Jashtë murit rrethues të spitalit atë e priste një automjet tip Audi, me të cilin u largua pa lënë gjurmë.
Tetë persona të tjerë u ndaluan më 14 janar, sipas deklaratës së Drejtorisë së Burgjeve:
Nga verifikimet paraprake rezulton se IEVP Durrës për shoqërimin e planifikuar, nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Ndërkohë në pranga u vunë 8 persona:
Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.
Njoftimi i policisë:
Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga ish-drejtori i IEVP Durrës.
Ekzekutohet masa e sigurisë edhe për doktoreshën e IEVP Durrës.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit I. C., 48 vjeç, banues në Durrës, ish-drejtor i IEVP Durrës.
Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 19/1, datë 15.01.2026, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu, me të njëjtin vendim, kjo gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasen Y. S., 66 vjeçe, banuese në Durrës, doktoreshë në IEVP Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.