Aksidenti në urën e Dajlanit me një viktimë dhe tri të plagosur, arrestohet shoferi

Pas aksidentit të rëndë të ndodhur mbrëmjen e kaluar në urën e Dajlanit, ku humbi jetën 18-vjeçarja Vikena Greku, janë zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Drejtuesi i automjetit, 26-vjeçari Arbër Xhaxhaj, i cili rezultoi se po drejtonte mjetin në gjendje të dehur, është arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen dhe drejtim mjeti në mënyrë të parregullt.

Automjeti humbi kontrollin, u përplas me barrierat anësore të urës dhe ra nga mbikalimi, duke shkaktuar pasojat tragjike.

Njoftimi:

Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmë, mbi aksidentin rrugor te ura e Dajlanit, me pasojë vdekjen e shtetases V. G., informojmë se shërbimet e Policisë Rrugore kryen menjëherë veprimet hetimore të nevojshme, me qëllim zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Në përfundim të këtyre veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit në të cilin ishte pasagjere shtetasja V. G., shtetasit A. Xh., 26 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Nga hetimet rezultoi se 26-vjeçari ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, dhe si pasojë, automjeti është përplasur me barrierat anësore të urës dhe ka rënë nga ajo. 

26-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 2 këmbësorët e dëmtuar kanë marrë asistencën mjekësore të nevojshme dhe janë larguar në banesa.