I dërguari special i SHBA për Groenlandën, Landry: Marrëveshja duhet dhe do të arrihet!
I dërguari special i SHBA-së në Groenlandë, Jeff Landry, i tha Fox News se besonte se mund të arrihej një marrëveshje për territorin, me presidentin Donald Trump që e merrte seriozisht planin e tij për të kontrolluar Groenlandën.
"Unë besoj se ka një marrëveshje që duhet dhe do të arrihet, sapo të përfundojë kjo çështje", tha ai.
"Mendoj se ai i ka përcaktuar gjërat. I ka thënë Danimarkës se çfarë kërkon dhe tani është çështje që sekretari Rubio dhe zëvendëspresidenti JD Vance, të bëjnë një marrëveshje."
Landry tha gjithashtu se po planifikonte të vizitonte territorin gjysmë-autonom danez në mars.
Nga ana tjetër, kryeministrja italiane, Georgia Meloni dëshiron që NATO të zhvillojë 'prani të koordinuar' në Arktik, për të parandaluar tensionet dhe për t'iu përgjigjur "ndërhyrjes nga aktorë të tjerë".
Reuters raportoi se në një letër të lexuar gjatë prezantimit të një dokumenti të qeverisë italiane mbi Arktikun, Meloni tha se rajoni po bëhej gjithnjë e më i rëndësishëm për shkak të zhvillimit të rrugëve të reja detare dhe "burimeve të tij të mëdha të energjisë dhe mineraleve".
Dokumenti politik italian vuri në dukje fokusin e ripërtërirë të Rusisë në Arktik, i cili përfshinte një forcim të pranisë së saj ushtarake atje. Ai gjithashtu vuri në dukje përpjekjen e Kinës për të rritur profilin e saj në Arktik, si një "shtet pranë Arktikut" i vetëshpallur, duke përfshirë interesin në rritje për transportin detar përgjatë Rrugës Detare Veriore dhe lidhjet më të ngushta me Moskën që shtrihen edhe në çështjet ushtarake./ Guardian.