`Të paaftët` që nuk zbulojnë dot sekretin Rama - Basha!

Për Fatmir Mediun ka një perceptim të fortë në opinionin publik, si një prej njerëzve shumë të afërt të Lulzim Bashës. Kjo sepse gjatë muajve të qëndresës së “Çadrës” kreu i Partisë Republikane ishte mjaft aktiv duke i siguruar një mbështetje të fortë, me politikanë të fuqishëm në SHBA.

 Edhe pas sulmeve të fuqishme nga opinioni dhe veçanërisht brenda llojit në PD, që vazhdojnë ende kundër Bashës, Mediu është treguar i kujdesshëm dhe madje ka lënë për të kuptuar, se është sërish në krah të Bashës. Por ka mjaftuar një editorial i Fatmir Mediut, dje te “Syri.net” (https://www.syri.net/op-ed/85403/opozita-sipas-meje-dhe-ku-po-gabon-lulzim-basha/) ku kritikon mënyrës se si po bën opozitë Basha dhe i bën gjithashtu thirrje për tërheqjen sa më të shpejtë ministrave të tij teknik në qeverinë Rama, që nga një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Bashës të vijë si kundërpërgjigje, një sulm i ashpër.

Basha ka zgjedhur vetë Nënkryetarin e Partisë Demokratike, Edmond Spahon, që ti japë një përgjigje të ashpër Fatmir Mediut për analizën te “Syri. net”, ku përveç çështjes së ministrave teknik ngre edhe problemin e mungesës së transparencës, në mënyrën se si po bëhet këto kohë opozitë.

“Basha duhet urgjentisht të shkëpusë çdo lidhje që ka me Ramën nëpërmjet prezencës së ministrave teknik, kjo e bën opozitën të papranueshme, qesharake dhe kompromentuese…Çdo opozitë që krijon mëdyshje, paqartësi dhe mungesë transparence në opinionin publik është e prirë të dështojë”, ishin disa nga artikulimet më të shkruara “troç”, të Fatmit Mediut në editorali.

Janë pikërisht këto konstatime, (Basha të shkëpusë lidhjet me Ramën dhe mungesa e transparencës të çon në dështim) që mesa duket jo vetëm i kanë djegur krytarit të PD-së, por edhe e kanë bërë që të lëshojë Edmond Spahon për ta sulmuar, madje egër, përderisa arrin edhe ta quajë “i paaftë”.

Në kundërpërgjigjen Basha-Spaho, edhe përse Mediut nuk i përmendet emri sheh një merak të madh, për fatin e ministrave teknikë, si pjesë e bashkëqeverisjes me Ramën, por edhe një kontradiktë të madhe që duket se vjen pikërisht nga mungesa e transparencës. Në një nga shfaqjet e tij të fundit, Basha kishte deklaruar se ministrat teknikë do të largoheshin, menjëherë pasi të kishin përpiluar raportin për Zgjedhjet, të cilat në fakt janë njohur dhe certifikuar pa asnjë rezistencë, edhe nga PD-ja.

Për këtë çështje Mediu ka një opsion të thjeshtë: “Sado i drejtë të jetë argumenti për të ndërtuar (ministrat teknikë) një raport për Zgjedhjet, ata mund ta kryejnë këtë punë duke mos qenë ministra, në bashkëpunim me strukturat që u morën me zgjedhjet. Në 12 qarqet apo pranë çdo kandidati”.

Por si i përgjigjet zëvendësi i Bashës, këtij argumenti?

“Të them të drejtën nuk arrij të kuptoj insistimin e shumë vetëve që ministrat teknikë duhet të ikin sot ose duhet të kishin ikur dhe se kjo është kauza e opozitës. Argumenti që duhet të përgatisin raportin për parregullsitë në zgjedhje mund të ishte i mjaftueshëm, por edhe në se jo, ministrat janë të detyruar të rrinë në detyrë, deri sa të vijë ministri pasardhës që do të thotë deri në fillim të shtatorit 2017”.

Pra Basha thotë; do të rrinë deri sa të mbarojnë raportin, zëvendësi i tij deklaron, se me raport të bërë apo jo, ata do rrinë deri kur Rama të sjell ministra të rinj!

Kjo lojë që shfaq në dukje, një kontradiktë të madhe brenda rrethit të ngushtë të Bashës, përforcon vetëm atë që po përflitet kaq shumë; një terr, mungesë të plotë transparence për marrëdhëniet e vërteta, mes kryetarit të PD-së me kryeministrin.

Pikërisht kjo mungesë transparence, që po karakterizon veprimin politik të Bashës që pas marrëveshjes së famshme të 18 Majit është pikërisht ajo që po shqetëson opinion dhe veçanërisht faktorët opozitarë. Ky ishte edhe thelbi i alarmit, që ngrinte në editorialin e tij Fatmir Mediu.

 Por nëse kërkon transparencën dhe sinqeritet, që janë kushtet më elementaren brenda një kampi opozitar që synon të rrëzojë një mazhorancë të blinduar në numra, atëherë si fillim shpallesh; “opozitar i paaftë”.

“Nëse kauza e opozitës dhe aksioni i saj në katër vitet e ardhshëm varet nga fakti që ministrat teknike ikin në 1 Gusht, 15 Gusht apo 1 Shtator kjo më shumë duket si paaftësi e atyre që shkruajnë për të sugjeruar një aksion opozitar, se sa paaftësi e PD apo e Lulzim Bashës...”, del në përfundim Spaho.

Në fakt, te ky përfundim i zëvendësit të Bashës ka një të vërtetë të madhe: Të gjithë ata që nuk kuptojnë apo zbulojnë dot, se cilat janë tashmë marrëdhëniet e vërteta mes Bashës dhe Ramës, e meritojnë të quhen: Të paaftë!

 Syri.net