Rritja e prurjeve të Lumës ekspozon dhe çan tubacionin e ujësjellësit të Kukësit

Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të ujit në lumin Luma, duke krijuar probleme serioze në infrastrukturën jetike të zonës.

Në vendin e quajtur Gryka e Vanave, rritja e prurjeve ka shkaktuar gërryerjen e brigjeve anësore të lumit, duke nxjerrë në sipërfaqe tubacionin kryesor të ujësjellësit që furnizon qytetin e Kukësit me ujë të pijshëm.

Dalja në sipërfaqe e tubacionit të ujësjellësit të Lojmes e ka lënë atë të ekspozuar ndaj goditjeve të gurëve dhe rrymës së fortë të ujit. Si pasojë, në tub është krijuar edhe një çarje, e cila rrezikon funksionimin normal të sistemit të furnizimit me ujë.

Çarja është e dukshme edhe nga pamjet e filmuara në terren, ndërsa deri më tani nuk ka pasur asnjë verifikim apo ndërhyrje nga ana e Ujësjellësit të Kukësit, pavarësisht rrezikut që paraqet situata.

Ndërkohë, qyteti i Kukësit furnizohet me ujë të pijshëm përmes dy linjave kryesore: një tubacion që vjen nga Kolesjani dhe një tjetër nga Lojmet. Ekspozimi dhe dëmtimi i këtij të fundit shton shqetësimet për sigurinë e furnizimit me ujë për qytetarët.