Shkodër/ Personeli shëndetësor ende s'ka marrë pagën e dhjetorit, reagon sindikata

Personeli shëndetësor në Qarkun e Shkodrës ende nuk ka marrë pagën e muajit dhjetor, një problematikë që sipas sindikatës së shëndetësisë përsëritet çdo vit dhe po rëndon gjithnjë e më shumë situatën ekonomike të punonjësve.

Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë Shkodër, Paolo Kaceri, shprehet se shumica e personelit shëndetësor po përballet me vështirësi serioze financiare, ndërkohë që nuk kanë përfituar as pagën e 13-të dhe as shpërblimin e fundvitit.

Sipas Kacerit, sektori i shëndetësisë është lënë pas dore prej vitesh, ndërsa thekson se punonjësit ndihen të tradhtuar nga qeveria në shumë aspekte, përfshirë pagesat, kushtet e punës dhe mbështetjen institucionale.

Në këtë situatë, Sindikata e Shëndetësisë kërkon një reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e problematikës, duke theksuar se vonesat e përsëritura të pagave janë të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë funksionimin normal të shërbimit shëndetësor.