Tiranë/ Vodhi xhirot ditore në tre subjekte, arrestohet 30-vjeçari, shitëset i kërcënonte me thikë
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Metoda”, duke zbardhur tre vjedhje me dhunë të kryera në subjekte tregtare, ku autor dyshohet një 30-vjeçar.
Sipas Policisë, shtetasi I. B., 30 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua vetëm pak orë pas vjedhjes së fundit, pasi kishte kanosur me mjet prerës (thikë) punonjësen e një njësie të një kompanie telefonike në Rrugën e Dibrës, duke i marrë xhiron ditore.
Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan veprime të shpejta hetimore dhe operacionale, të cilat çuan në identifikimin dhe kapjen e autorit. Gjatë arrestimit, atij iu sekuestruan shuma e parave të vjedhura, mjeti prerës dhe celulari.
Nga hetimet rezulton se 30-vjeçari dyshohet se, me të njëjtën metodë, kishte kryer edhe dy vjedhje të tjera gjatë muajit dhjetor 2025, në dy subjekte të tjera tregtare (dy njësi të një kompanie telefonike dhe një dyqan).
Policia vijon punën për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Njoftimi i policisë:
Duke kanosur me mjet prerës (thikë), punonjëset, vodhi xhirot ditore, në 3 subjekte (2 njësi të një kompanie telefonike dhe 1 dyqan), kapet pak orë pas kryerjes së vjedhjes së mbrëmshëm, 30-vjeçari.
Sekuestrohen shuma e parave të vjedhura, mjeti prerës dhe celulari i të arrestuarit.
Menjëherë pas kallëzimit të punonjëses në një njësi të një kompanie telefonike, në Rrugën e Dibrës, se mbrëmë, 1 shtetas kishte vjedhur xhiron ditore, pasi e kishte kanosur me mjet prerës (thikë), shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan punën për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “Metoda”, u kap pak orë pas kryerjes së këtij krimi, autori i dyshuar, shtetasi I. B., 30 vjeç, banues në Tiranë, të cilit iu gjetën me vete, shuma e parave të vjedhura dhe mjeti prerës.
Nga verifikimet e mëtejshme dyshohet se ky shtetas, me të njëjtën metodë, kishte vjedhur xhirot ditore, në 2 subjekte, gjatë muajit dhjetor, 2025.
Punohet për zbardhjen e vjedhjeve e tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.