Përfitoi rreth 30 mln euro duke krijuar kompani fiktive e bleu 23 ha tokë në Dhërmi/ Sekuestron pronat e shtetasit spanjoll
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur sekuestron ndaj bizneseve dhe pasurive të një shtetasi spanjoll.
Ky person është i dyshuar për përfshirje në një skemë të gjerë ndërkombëtare mashtrimi dhe pastrimi parash, nga e cila dyshohet se janë përfituar rreth 30 milionë euro.
Asetet ishin të përfituara nga Alvaro Romillo Castillo, i ati shtetasi Domingo Romillo Iriarte dhe partnerja e tij, shtetasja Mihaela Munteanu Manole, nëpërmjet mashtrimit kompjuterik dhe krijimit të shoqërive fiktive në Europë dhe Amerikë të Veriut, për shitblerje pronash të paluajtshme me vlera më të ulëta se ato realet në treg.
Pronat e sekuestruara
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kapitali” u ekzekutua urdhrin për vënien e sekuestros
2 sipërfaqe toke në Dhërmi
3 shoqëri tregtare,
1 automjet tip “Mercedes Benz AMG”,
1 automjet tip “Toyota Land Cruiser”
3 llogari bankare.
Njoftimi i prokurorise se Tiranes
Me kërkesë të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u sekuestruan pasuritë: shoqëri tregtare, mbi 23 ha tokë në Dhërmi, automjete e llogari bankare të shtetasit spanjoll Alvaro Romillo Castillo në Shqipëri, të dyshuara se janë produkt i veprës penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.6905 të vitit 2025, rezultoi se shtetasi Alvaro Romillo Castillo, i ati shtetasi Domingo Romillo Iriarte dhe partnerja e tij, shtetasja Mihaela Munteanu Manole, rezultuan të përfshirë në një skemë mashtrimi duke krijuar kompani fiktive në shtete të ndryshme si Spanjë, Portugali, Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Republika Dominikane dhe Estonia. Vlera e përfituar përmes kësaj skeme arrin shumën 30 milionë Euro.
Në territorin e shtetit shqiptar, shtetasit e mësipërm, vepruan nëpërmjet shoqërisë “Wingwort” sh.p.k dhe 2 (dy) shoqërive të tjera të regjistruara në Regjistrin Tregtar, me të njëjtin objekt veprimtarie “Aktivitet në fushën e turizmit, hapja e menaxhimi i hoteleve, godinave etj”, “Menaxhim i pasurive të paluajishme, shërbime agjenci turisitike”, nëpërmjet shoqërive të krijuara të përfshirë në kontrata, transferta dhe shkëmbime tregtare me shoqëri të huaja me vendndodhje në Bullgari, Sllovaki, Malajzi, (Labuan vend offshore). Këto shoqëri ka nënshkruar kontratë shitblerje pasuri e paluajtshme dhe ka blerë pasuri të paluajtshme në Dhërmi me vlera dukshëm më të ulëta se sa vlera e tregut.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këto subjekte ushtrojnë të njëjtin aktivitet dhe kanë të njëjtën adresë, me administratorë këta shtetas. Subjektet rezultojnë me status “pezulluar”, çka rrit dyshimet për ekzistencën e një aktiviteti të përbashkët ekonomik të mundshëm dhe përdorim formal të subjekteve për qëllime të fshehjes apo transferimit të të ardhurave me origjinë të dyshimtë, veprime që mund të përbëjnë elementë të veprës penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Shtetasi D.I., është subjekt i një hetimi nga Audiencia Nacional në Spanjë për mashtrim piramidal dhe pastrim parash, lidhur me veprimtarinë e tij financiare ndërkombëtare. Hetimi lidhet kryesisht me aktivitetet e tij në kompaninë Madeira Invest Club dhe shoqëri të tjera të tij financiare. Në qëndër të skemës qëndron Alvaro Romillo Castillo, i njohur në rrjetet e koduara si “Luis” apo “Cryptospain”.
Ai komunikonte me klientët në platformën Telegram, duke i bindur të investonin shuma që nisnin nga 1.5 milionë euro, pa pasur detyrimin të identifikoheshin. Kjo e bënte të pamundur gjurmimin e transaksioneve financiare. Sipas hetimeve, rrjeti kriminal kishte ngritur kompani fiktive në Portugali, SHBA, Estoni, Republikën Dominikane dhe Shqipëri, për të fshehur qarkullimin e parave. Dy prej këtyre kompanive, “Wortned” dhe “Wortonova”, u regjistruan në Qëndrën Kombëtare të Biznesit në Tiranë në qershor 2024, me adresë në rrugën “Teodor Keko”. Të dyja kompanitë kishin si objekt aktivitetin turistik dhe menaxhimin e hoteleve, por sipas dokumenteve, ato nuk zhvilluan ndonjë veprimtari të vërtetë. Pronari i “Wortned” ishte vetë A C., ndërsa “Wortonova” figuron në pronësi të shtetases rumune M.M. me administrator të përbashkët D. I. babai i tij.
Bazuar në veprimet hetimore të kryera dhe provat e mbledhura, rezulton se është kryer vepra penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Në përputhje me ligjin, duke pasur parasysh seriozitetin e veprës, dëmin e shkaktuar dhe mundësinë e fshehjes ose shfrytëzimit të pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme, sugjerojmë dërgimin e çështjes në gjykatë për gjykim për veprën penale të sipërpërmëndur si dhe vendosjen e masës së sekuestros mbi pasuirtë e identifikuara gjatë hetimit, si më poshtë:
1. Pasuria e ndodhur në Zonën Kadastrale nr. 1481, me sipërfaqe 13.66 Hektarë, në adresën Dhërmi, Vlorë, në vendin e quajtur Kolia, “Tokë Kullotë”;
2. Pasuria në Zonën Kadastrale nr. 1481, me sipërfaqe 9.5 Hektarë, në adresën Dhërmi, Vlorë, në vendin e quajtur Megali-Langadhea, “Tokë Kullotë”;
3. Shoqëria ‘Wortend’;
4. Shoqëria ‘Wingwort’;
5. Shoqëria ‘Wortnova’;
6. Automjeti, Toyota, Land Cruiser;
7. Automjeti Mercedez Benz, AMG G 63; dhe
8. Llogaritë bankare në të gjitha bankat e nivelit të dytë ku mund të ketë llogari aktive bankare.