'Kriza e diskursit publik'/ Cukali: Mediat kryesore heshtin ndaj skandaleve
I ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto' gazetari Koloreto Cukali analizoi diskursin publik. Ai thotë se "mullari i të keqes" është bërë aq i madh, sa asnjë strategji komunikimi apo propagandë nuk mund ta mbulojë më, duke sinjalizuar një krizë të thellë sistemike.
Në qendër të këtij dekompozimi qëndron heshtja "ulëritëse" e mediave kryesore në vend përballë skandaleve të përmasave të mëdha.
Në vend të një debati real, sipas Cukalit, hapësira mediatike dominohet nga panele televizive ku të njëjtët analistë, shpesh të paguar nga kanale të lidhura me qeverinë, riciklojnë pafundësisht narrativën zyrtare.
Ky mekanizëm, tha ai e ka shndërruar diskursin në një farsë, ku informacioni kanalizohet në atë mënyrë që të mbrojë edhe "emocionet" apo "stresin" e zyrtarëve të lartë, duke shmangur çdo kritikë thelbësore.
Rezultati është një degradim i plotë i debatit publik, i cili është topitur dhe ka rënë në nivelin e një "Big Brother", ku shoqëria bombardohet me informacione të parëndësishme për të shmangur përballjen me problemet reale.
Në këtë kontekst, nuk ekziston më një diskurs opozitar dhe kritik ndaj qeverisjes, por vetëm një sistem i mbyllur propagande që përsërit vetveten. Mungesa e një debati të shëndoshë dhe pluralist po e çon vendin drejt një asfiksimi të plotë të mendimit kritik, duke lënë problemet e vërteta pa përgjigje dhe pa zgjidhje.
Deklarata e plotë:
“Është shumë e drejtë kjo që po thoshe Briseida që problemi nuk është se diskursi i Ramës, problemi është te diskursi shoqëror.
Po sa për të mbyllur pak atë pyetjen e fillimit tuajën, unë nuk mendoj që është ikja e një njeriu, në rastin konkret përmendët Fugën, nuk besoj se është ajo problemi i një shkarje në komunikim.
Por unë besoj që mullari i të keqes është kaq i madh tani saqë nuk ka Fugë që ta mund dhe nuk ka strategji më që ta mbulojë. Pra unë përpiqem.
Unë besoj, tash pa dashur të bëjmë ose ta devijojmë te një person bisedën, nuk është çudi që Fuga ta ketë ndjerë mbytjen e anijes. Është si ata minjtë që hidhen nga anija, kur e shohin që po mbytet, minjtë janë të parët që ikin nga anija me not.
Kështu që në këtë aspekt mendoj që nuk ka problem Fuge, është problem që nuk ka propagandë që të mund ta mbulojë këtë gjënë që po ndodh.
Pra është përtej imagjinatës dhe unë shoh instrumentat e vendeve të tjera, të njerëzve të tjerë, autokratëve të tjerë, në sisteme të tjera të propagandës, unë shoh dhe përpiqem të kuptoj, a mund të përdoret? Po unë besoj që këtu janë ezauruar të gjithë elementët e propagandës në Shqipëri, me apo pa Fugën.
Sepse është sistemi, pra Fuga është elementi i një sistemi të tërë.
Janë këto televizionet.
Jo po e kam dëgjuar dhe në biseda në tavolina këtë batutën me ikjen e Fugës. Ka të bëjë, unë nuk besoj se ka të bëjë shumë me atë. Ka të bëjë me një sistem i cili është mbështetur vetëm në fasadë. Dhe befas, fasada ka rënë. Pra nuk e mban dot më fasadën.
Duken si përçarje këto që bën kryeministri. Në fakt janë të njëjtat gjëra, që ka bërë historikisht prej shumë vitesh. Pra sapo del një skandal, merret nominalisht, përpiqet, u tha bukur aty, përpiqet ta kthejë në Big Brother.
Duke përfituar që edhe shoqëria shqiptare tashmë është e topitur në nivel Big Brother. Po mua më intereson më shumë kjo pjesa tjetër e bisedës. Çfarë ka përballë ky diskurs? Pra elita shqiptare si po komunikojnë lidhur me këto probleme? Dhe është ulëritëse heshtja e televizioneve të mëdhaja ndaj skandaleve kaq të mëdha.
Dhe kur dëgjoj gjëra të tipit që zonja Balluku është shumë e stresuar dhe nuk mund ta stresoni më shumë. Pra kur televizionet e mëdhaja kombëtare duhet të kenë parasysh lëndimin personal.
Po thoja që kur mediat e mëdha shqiptare kanë kanalizuar informacionin në këtë pikë, duhet të mbajnë parasysh edhe emocionet e një individi me pushtet.
Unë mendoj që nuk ka më diskurs. Problemi im nuk është ajo që thotë kryeministri, problemi im janë panelet televizive, ku praktikisht përsëritet ai diskurs.
Pra njerëz të paguar, këta njerëz të paguar, që dihet që kanë dalë me fakte që paguhen këtu te ai Bordi, që marrin lekët këtu, që merr këtë pagesën këtu. Pra gjithë këta njerëz që është edhe e vërtetuar dhe publikisht që janë njerëz në shërbim të sistemit.
Unë nuk e kuptoj se pse duhet të kenë hapësirë publike për të folur. Dhe ky është turpi i televizionit sot dhe ky është turpi i diskursit publik."