'Monopol privat me fonde publike', Shehu: PPP-ja për sterilizimin, projekt i dështuar që nuk u vendos kurrë në punë
I ftuar në emisionin "Kafe Shqeto", deputeti i PD, Tritan Shehu, u shpreh se projekti i PPP-së për sterilizimin është një dështim i plotë dhe një eksperiment i dështuar që ka dëmtuar rëndë sistemin shëndetësor shqiptar.
Sipas Shehut, ky projekt është në kundërshtim të plotë me parimet themelore të menaxhimit të spitaleve dhe ka krijuar një monopol privat të financuar me fonde publike, duke përdorur strukturat shtetërore për interesa private. Ai theksoi se ky sistem ka sjellë humbje të eksperiencës dhe traditës, duke e bërë më të vështirë rikthimin në funksionimin e mëparshëm të decentralizuar të sterilizimit.
Shehut theksoi se, ky është një shembull i qartë i dështimit të konceptit të PPP-ve në sektorin shëndetësor, ku paratë publike janë shpërdoruar për të krijuar monopol privat, ndërkohë që është dëmtuar funksionimi i spitaleve dhe ka rritur kostot për qytetarët. Ai e vlerësoi këtë situatë si një plagë të rëndë për sistemin shëndetësor, ku futja e PPP-ve ka çuar në rritjen e korrupsionit dhe humbjen e autonomisë spitalore.
Përveç projektit të sterilizimit, Shehu përmendi edhe dështimet e tjera të PPP-ve, si ato për Check Up dhe laboratorët, që sipas tij kanë krijuar probleme të thella në sistemin shëndetësor, duke ndikuar negativisht në shërbimet dhe duke vështirësuar qasjen e qytetarëve në kujdesin shëndetësor. Ai kërkoi një rishikim të menjëhershëm të këtyre projekteve, duke theksuar se përmirësimi i sistemit shëndetësor mund të arrihet vetëm përmes një menaxhimi të drejtë, transparent dhe të fokusuar në interesin publik.
Pjesë nga deklarata:
Është padyshim dështim i një projekti të dështuar që në fillim. Problemi i PPP-së nuk është vetëm çështja e sterilizimit; ka shumë probleme dhe të gjitha mbartin disa elementë të papajtueshëm, përveç asaj ekonomike, si kostoja e lartë e këtij sistemi në raport me kostot e shëndetësisë.
Nëse marrim PPP-në e Check Up-it, PPP-në e laboratorëve dhe atë të sterilizimit, këto janë më të rëndësishmet. Së pari, këtu me fondet publike kemi krijuar monopole kombëtare private. Pra, për çdo gjë që është kundër ligjeve dhe kundër monopoleve, ti jep një private duke e financuar nga publiku, pa marrë rreziqe vetë, një monopol kombëtar në një aktivitet strategjik, siç është laboratori, sterilizimi, sepse Check Up për mua është një gropë bosh që nuk ka asnjë vlerë, qofshin ato preventive apo statistikore. Eksperienca e këtyre evitimeve e ka treguar këtë; nuk kemi asnjë statistikë, asnjë studim për Check Up.
Kemi ngritur disa struktura në kundërshtim me parimet themelore të luftës kundër monopoleve, në kundërshtim me funksionet e spitaleve, dhe sigurisht, është korrupsioni me vlera të mëdha që paguhen.
Check Up, realisht, paratë e saj do të dëmtonin sistemin parësor shqiptar, kanë krijuar probleme në laboratore dhe në kujdesin parësor, duke përdorur të gjithë personelin e kujdesit parësor në shërbim të Check Up-it dhe duke hequr kujdesin nga prioritetet dhe duke ulur fondet. Vetëm paratë e harxhuara për Check Up do të kishin mundur të bënin 5 herë më të fortë sistemin parësor të shërbimit.
Koncepti i PPP-së në laboratorë ka shkatërruar autonominë spitalore. Është marrë një vendim kombëtar nga shteti, nga qeveria, pa asnjë mendim nga spitalet. Ne flasim njëkohësisht për autonominë spitalore dhe krijojmë një monopol kombëtar privat me financime publike për laboratorët, absolutisht të urdhëruar, duke dëmtuar unitetin e spitaleve. Laboratorët janë zemra e një spitali, një element klinik i spitalit. Janë pjesë e aktivitetit klinik shumë të rëndësishëm të spitalit. Heqja e laboratorëve nga uniteti i spitaleve është shkatërrimi i unitetit dhe autonomisë spitalore. Ky është një eksperiment i dështuar prej kohësh, sepse laboratori është pjesë e unitetit spitalor, aq më tepër në rastin e QSUT-së apo Senatoriumit. Duke ja kaluar privatit në këtë mënyrë, do të kapet funksionet e rëndësishme të këtyre spitaleve.
Ne kemi kufizime ekzaminimesh. Është paraqitur një listë shabllon. Për mua është një listë minimaliste që realisht kufizon aktivitetin laboratorik në funksion të pacientit, përveç se ka krijuar ndërprerje të funksioneve të laboratoreve. Pacienti detyrohet të shkojë në privat, duke paguar nga xhepi, sepse fondet janë të tilla dhe elementët e funksionimit janë në kundërshtim me drejtimin e një spitali.
Marrim sterilizimin. Është një projekt i dështuar pa dyshim. Unë për këtë projekt dhe për projektet e tjera të PPP-ve, mendoj se është në kundërshtim me konceptet e menaxhimit të një spitali. Është një element tjetër i krijimit të një monopolizimi privat me financime shtetërore, duke shfrytëzuar strukturat shtetërore. Tani jemi në një situatë ku koncepti i sterilizimit do t’i largohet privatit. Si do të kthehemi në periudhën e funksionimit të decentralizuar të sterilizimit?
E gjithë struktura e vjetër, ok, duhej rinovuar dhe rregulluar, por tani ka marrë fund. Ka humbur traditën e saj, ka humbur eksperiencën. Ne e kishim një strukturë, ok, duhej përmirësuar, por mënyra e përmirësimit ishte e gabuar. Në Tiranë është një qendër sterilizimi e ndërtuar që në vitin 2011, e pajisur në mënyrë moderne, por që realisht nuk u vendos kurrë në punë. Nuk është se nuk u investua, u inagurua qendra e sterilizimit në QSUT dhe kjo qendër iu dha privatit, së bashku me Shumën, duke krijuar një monopol privat me para të dhëna nga publiku. Kthimi dhe rikrijimi i një funksioni tjetër publik bëhet në një situatë kur është humbur eksperienca. Dëmet janë komplekse nga futja e këtyre PPP-ve në sistemin shëndetësor. Nuk është vetëm humbja e fondeve, kostot e ekzagjeruara, por është një problem kompleks që ka plagosur rëndë sistemin shëndetësor nga futja e PPP-ve.