Kina dhe Kanadaja drejt përmirësimit të marrëdhënieve? Xi Jinping paraqet 4 propozime për Otavën
Presidenti kinez Xi Jinping ka paraqitur, atë që ai e quajti “katër propozime” për forcimin e marrëdhënieve Kinë–Kanada, gjatë takimit me kryeministrin kanadez Mark Carney në Pekin. Lajmi u bë publik nga agjencia shtetërore kineze Xinhua, e cila publikoi një përmbledhje zyrtare të bisedimeve.
Sipas Xinhua-s, Xi theksoi se Kina dhe Kanadaja duhet:
Të jenë partnerë që respektojnë njëri-tjetrin – Xi tha se të dy vendet duhet të respektojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe sistemet politike të njëri-tjetrit.
Të jenë partnerë në zhvillimin e përbashkët – Duke përshkruar thelbin e marrëdhënieve tregtare dypalëshe si “përfitim të ndërsjellë dhe bashkëpunim fitim–fitim”, Xi bëri thirrje për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe forcimin e interesave të përbashkëta.
Të jenë partnerë që besojnë tek njëri-tjetri – Presidenti kinez theksoi rëndësinë e shkëmbimeve mes njerëzve, të cilat i quajti forma më themelore dhe më e qëndrueshme e lidhjes mes dy vendeve.
Të jenë partnerë në koordinimin ndërkombëtar – Xi deklaroi se Kina është e gatshme të punojë me Kanadanë në kuadër të organizatave ndërkombëtare si OKB-ja, G20 dhe APEC për të “adresuar së bashku sfidat globale”.
Në deklaratën kineze thuhet gjithashtu se Kanadaja ka rikonfirmuar përkushtimin ndaj politikës së “Një Kine” dhe ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Pekinin në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit botëror.
Vizita e Carney në Kinë shihet si një shenjë e ngrohjes së marrëdhënieve dypalëshe, të cilat vitet e fundit kanë qenë më shumë të karakterizuara nga tensione sesa nga bashkëpunimi.
Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan ndjeshëm në dhjetor të vitit 2018, kur Kanadaja arrestoi drejtoreshën financiare të Huawei-t, Meng Wanzhou, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, nën akuza për mashtrim dhe shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Iranit. Vetëm disa ditë më vonë, Kina arrestoi dy shtetas kanadezë, Michael Kovrig dhe Michael Spavor, me akuza për spiunazh.
Kritikët në Perëndim akuzuan Pekinin se po i përdorte të ashtuquajturit “Dy Michael-ët” si mjet presioni në betejën e ekstradimit të Meng, akuza që Kina i mohoi. Në vitin 2021, SHBA hoqi dorë nga kërkesa për ekstradim dhe Meng u kthye në Kinë, ndërsa në të njëjtin muaj, dy kanadezët u liruan nga paraburgimi në Kinë.
Tensionet u rishfaqën në vitin 2024, kur Otava dhe Pekini vendosën tarifa hakmarrëse ndaj njëri-tjetrit, duke përfshirë automjetet elektrike kineze dhe kanolën kanadeze, duke goditur ndjeshëm tregtinë dypalëshe.
Megjithatë, në muajt që paraprinë vizitën e Carney në Pekin, zyrtarë nga të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për të thelluar bashkëpunimin në tregti dhe diplomaci, duke sugjeruar se marrëdhëniet Kinë–Kanada mund të hyjnë në një fazë më pragmatike dhe më pak konfliktuale.