Gerard Pique ironizon pa mëshirë Real Madridin pas eliminimit turpërues nga Kupa e Mbretit

Gerard Pique nuk ka humbur rastin të tallet me Real Madridin pas eliminimit befasues nga Kupa e Mbretit.

Madrilenët u mposhtën nga skuadra e kategorisë së dytë, Albacete, në një humbje tronditëse që vulosi daljen e tyre nga gara në fazën e 1/8 së finales.

Ky eliminim erdhi vetëm pak ditë pasi Real Madridi u nda nga ish-trajneri Xabi Alonso dhe ia besoi drejtimin e skuadrës Álvaro Arbeloas.

Ish-mbrojtësi i djathtë firmosi një kontratë deri në fund të sezonit, si shenjë besimi nga drejtuesit e klubit.

Megjithatë, debutimi i Arbeloas në stol ishte larg pritshmërive.

Reali u mposht 3-2 dhe u eliminua nga Kupa e Mbretit, duke e nisur në mënyrën më të keqe të mundshme epokën e re.

“Debutim i shkëlqyer për Madridin e ri”, u shpreh me ironi Piqué gjatë një transmetimi në Twitch, duke nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale.

Si ish-legjendë e Barcelonës, Piqué ka qenë gjithmonë i prirur të provokojë rivalin historik, ndërsa deklarata e tij vetëm sa shtoi tensionet e vjetra të rivalitetit të “El Clasico”-s.

Marrëdhëniet mes Piqués dhe Arbeloas kanë qenë prej kohësh të ftohta, pavarësisht se të dy kanë përfaqësuar së bashku kombëtaren e Spanjës në 38 ndeshje.