Koka: Plani i Ramës për 'qytetin inteligjent' me para arabe, një lëvizje për të negociuar me SHBA?

Kryeministri Edi Rama duket se po orienton gjithnjë e më shumë politikën e tij drejt Lindjes, një lëvizje që kulmoi me një deklaratë të bujshme në prani të ambasadores amerikane.

Duke vënë përballë njëra-tjetrës "Kinën e zgjuar dhe të mençur" me atë që u interpretua si "makutëria botërore" e Perëndimit, Rama ka sinjalizuar një qasje të re gjeopolitike, në qendër të së cilës ndodhet një projekt strategjik me vlerë miliona euro.

I ftuar në Task ForceSYRI TV me Sonila Meçon, gazetari Bledian Koka bëri me dije se bëhet fjalë për projektin "Smart City", i cili parashikon instalimin e një rrjeti të gjerë kamerash sigurie në të gjithë vendin me qëllim rritjen e sigurisë publike.

Sipas gazetarit Koka, burimi i financimit dhe mënyra e zbatimit kanë ngritur shqetësime të mëdha, pasi plani aktual përfshin një kredi nga Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila do të menaxhohet nga një kompani po nga ky vend. K

Sipas Kokës, ky model është problematic, pasi paratë arabe financojnë një kompani arabe, ndërsa Shqipëria mbetet vetëm me detyrimin për të paguar kostot, duke lënë në duar të huaja menaxhimin e të dhënave sensitive të sigurisë kombëtare.

Gjithashtu Koka theksoi se kjo lëvizje e kryeministrit mund të mos jetë thjesht një zgjedhje ekonomike, por një taktikë e mirëmenduar për të negociuar me partnerin kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke treguar se ka alternativa të fuqishme financimi dhe partneriteti në Lindje, si në Abu Dabi apo Dubai, qeveria mund të jetë duke kërkuar të fitojë një pozicion më të favorshëm në bisedimet me Uashingtonin.

Ndërkohë që reagimi amerikan nuk ka vonuar, ku e Ngarkuara me Punë në ambasadën e SHBA në Tiranë ka theksuar në mënyrë të përsëritur, në dalje të ndryshme publike, nevojën për të mbrojtur interesat ekonomike amerikane në Shqipëri.

Koka u shpreh se ky mesazh i qartë tregon se Uashingtoni po i ndjek me vëmendje këto zhvillime dhe nuk është i gatshëm të lejojë cenimin e investimeve dhe bizneseve të tij.

Koka: Deklarata që ai bëri pak ditë më parë në prani të ambasadores amerikane, ku i tha që neve jemi përballë alternativës së Kinës së zgjuar dhe të mençur, me qytetërim të lashtë, e me qytetërim, apo makutërisë pa fre fare, pa fre fare dhe kjo ishte fjalia. Praktikisht ai e trajtoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një makute botërore dhe Kinën si një, si një njeri që bën biznes të ndershëm dhe koha prej 4000 vitesh e ka treguar që në, në, në rrugëtimin, në rrugën e Mëndafshit të famshëm. Pra që zoti Rama është i orientuar drejt Abu Dhabit, drejt Dubait, drejt vendeve të lindjes, këtë e ngriti si shqetësim edhe vetë ish-zëvendëskryeministri i tij i cili tha, nuk ka ndonjë problem te kompanitë, problemi është tek, tek qasja që ka. Unë besoj që zoti Rama e bën këtë gjënë në atë që unë e besoj si një kërkesë për të negociuar.

Dhe me versionin e zotit Rama, sigurisht që kjo gjë do të shkonte me, me para arabe tek një kompani arabe. Praktikisht paratë i japin ata dhe i marrin po ata, ne paguajmë vetëm, paguajmë koston. Dhe informacionin e kanë po ata. Kjo gjë, kjo gjë do bëhet. Pyetja është, a do ketë një rishikim të këtyre qëndrimeve? Kjo mbetet për t'u parë në ditët në vazhdim, them unë. Dhe një reflektim.