Përdhunoi në mënyrë të përsëritur motrën e tij të mitur, arrestohet sapo zbret në Gjermani emigranti 26-vjeçar

Një emigrant somalez, i kërkuar nga autoritetet britanike për përdhunime të përsëritura ndaj motrës së tij a13-vjeçare, është arrestuar sapo ka zbritur nga avioni në Gjermani.

I dyshuari, 26 vjeç, shtetas holandez i lindur në Somali, u ndalua nga policia federale gjermane në aeroportin e Frankfurtit, vetëm pak çaste pas mbërritjes nga një fluturim i gjatë nga Addis Ababa, Etiopi. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar nga Mbretëria e Bashkuar që prej dhjetorit 2023, shkruan The Sun.

Në një deklaratë zyrtare, policia federale gjermane bëri të ditur: “Bazuar në një njoftim kërkimi, oficerët e Policisë Federale arrestuan një shtetas holandez 26-vjeçar në aeroportin Frankfurt am Main.”

Sipas autoriteteve, ai akuzohet se ka përdhunuar në mënyrë të përsëritur motrën e tij 13-vjeçare gjatë vitit 2020, ndërsa jetonte në Mbretërinë e Bashkuar.

Pas arrestimit, i dyshuari u paraqit para gjyqtarit kompetent të paraburgimit në Frankfurt. Emri i tij nuk është bërë publik, ndërsa ai u mbajt në paraburgim në aeroport teksa hetimet vijojnë.

Autoritetet gjermane sqaruan se, për shkak se i arrestuari ka të drejtë të kundërshtojë ekstradimin, transferimi i tij drejt Britanisë së Madhe mund të zgjasë nga 10 deri në 60 ditë afate që konsiderohen standarde në raste të tilla.

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi një tjetër emigrant, Mehmet Ogur, u dënua me shtatë vite burg në Britani për përdhunim dhe tentativë përdhunimi. Po ashtu, më herët gjatë këtij muaji, një emigrant afgan u shpall fajtor për sulm seksual ndaj një gruaje, duke shtuar shqetësimet mbi raste të ngjashme kriminale.