Kivu kërkon rikthimin e Ivan Perisic tek Interi
Hipoteza e bujshme për merkaton e janarit te Interi, Kivu kërkon kthimin e futbollistit kroat
Interi ka kthyer sytë nga e kaluara për të përforcuar radhët me elementë të cilët Kristian Kivu po mendon se mund të ndihmojnë ekipin për të arritur objektivat në këtë edicion.
Pasi dështoi transferimi i Joao Cancelos, Kivu kërkon një tjetër ish të famshëm, kroatin Ivan Perisic, i cili ka lënë mbresa në dy etapat e tij te zikaltrit.
Edhe pse në moshën 37-vjeçare, kroati ka shkëlqyer me fanellën e PSV në këto dy edicione.
Ndaj Interi ka menduar kthimin e tij për një eksperiencë të tretë në janar, duke e parë si një alternativë për krahët e sulmit.
Por sipas “Eindhovens Dagblad”, PSV nuk ka ndër mend ta lejojë të largohet falas futbollistin i cili ka kontratë deri në fundin e sezonit.
Ndaj Interi duhet të mendojë për të paguar një shifër për transferimin e tij, apo të gjejë një tjetër objektiv në merkato.