Si një miliarder me interesa në Groenlandë e inkurajoi Trumpin të blinte territorin
Një ditë gjatë mandatit të tij të parë, Donald Trump thirri një ndihmës të lartë për të diskutuar një ide të re. "Trump më thirri në Zyrën Ovale", tha për Guardian John Bolton, këshilltar i sigurisë kombëtare në vitin 2018. "Ai tha se një biznesmen i shquar sapo kishte sugjeruar që SHBA-të të blinin Groenlandën."
Ishte një propozim i jashtëzakonshëm. Dhe buronte nga një mik i hershëm i presidentit, i cili më pas do të fitonte interesa biznesi në territorin danez.
Biznesmeni, mësoi Bolton, ishte Ronald Lauder. Trashëgimtar i një pasurie në fushën e kozmetikës - markës globale të kozmetikës Estée Lauder - ai e njihte Trumpin, një banor të pasur të New Yorkut, për më shumë se 60 vjet.
Bolton tha se e diskutoi propozimin e Groenlandës me Lauder. Pas ndërhyrjes së miliarderit, një ekip i Shtëpisë së Bardhë filloi të eksploronte mënyra për të rritur ndikimin e SHBA-së në territorin e gjerë të Arktikut të kontrolluar nga Danimarka.
Ndjekja e përsëritur e idesë së Lauder nga Trump, gjatë mandatit të tij të dytë është tipike për mënyrën se si vepron presidenti, tha Bolton. “Pjesë informacioni që ai dëgjon nga miqtë, ai i merr si të vërteta dhe nuk mund ta ndryshosh mendimin e tij.”
Propozimi duket se i ka nxitur ambiciet imperialiste të Trumpit: tetë vjet më vonë, ai po mendon jo vetëm ta blejë Groenlandën, por ndoshta ta marrë atë me forcë.
Ashtu si shumë prej atyre përreth presidentit, sugjerimet politike të Lauder duket se kryqëzohen me interesat e tij të biznesit. Ndërsa Trump ka shtuar kërcënimet e tij për të pushtuar Groenlandën, Lauder ka fituar prona komerciale atje. Lauder është gjithashtu pjesë e konsorciumit, dëshira e të cilit për të pasur akses në mineralet ukrainase duket se e ka nxitur Trump të kërkojë një pjesë të burimeve të vendit të shkatërruar nga lufta.
Lauder ka thënë se e ka takuar Trumpin në vitet 1960, kur ata kanë ndjekur të njëjtën shkollë prestigjioze biznesi. Pasi punoi për biznesin familjar të kozmetikës, Lauder shërbeu nën Ronald Reagan në Pentagon, më pas si ambasador në Austri, përpara se të kandidonte pa sukses për kryetar bashkie të Nju Jorkut në vitin 1989.
A ishte kjo e dobishme?
Kur Trump fitoi presidencën në vitin 2016, Lauder dhuroi 100,000 dollarë për komitetin e mbledhjes së fondeve Trump Victory. Kur mendja e shëndoshë e Trump u vu në pikëpyetje në vitin 2018, Lauder e quajti atë "një njeri me depërtim dhe inteligjencë të jashtëzakonshme".
Po atë vit, Lauder tha se po e ndihmonte Trumpin me "disa nga sfidat më komplekse diplomatike të imagjinueshme". Kjo duket se ka përfshirë mbjelljen e idesë së zgjerimit të Arktikut. Vitin pasardhës, Wall Street Journal zbuloi interesin e Trumpit për Groenlandën. Sundimtarët e Danimarkës shprehën zemërim. Trump u përgjigj duke postuar në X një imazh të një Kulle Trump të artë që ngrihej mbi një fshat, pranë mbishkrimit: "Premtoj të mos ia bëj këtë Groenlandës!"
'Një thesar i elementëve të rrallë të tokës'
Fiksimi i Trump me Groenlandën vazhdoi, ashtu si edhe ai i Lauder. Shkurtin e kaluar, pak pasi Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë, Lauder u hodh në mbrojtje të tij kur presidenti mendoi publikisht për një pushtim ushtarak të ishullit më të madh në botë.
“Koncepti i Groenlandës i Trump nuk ishte kurrë absurd – ishte strategjik”, shkroi Lauder në New York Post. Ai vazhdoi: “Nën akullin dhe shkëmbinjtë e saj ndodhet një thesar elementësh të rrallë të tokës, thelbësorë për inteligjencën artificiale, armët e përparuara dhe teknologjinë moderne. Ndërsa akulli tërhiqet, po shfaqen rrugë të reja detare, duke riformësuar tregtinë dhe sigurinë globale.”
Me Groenlandën në “epiqendrën e konkurrencës së fuqive të mëdha”, argumentoi Lauder, SHBA-të duhet të kërkojnë një “partneritet strategjik”. Ai shtoi: “Kam punuar ngushtë me udhëheqësit e biznesit dhe qeverisë së Groenlandës për vite me radhë për të zhvilluar investime strategjike atje.”
Që kur Lauder e drejtoi vëmendjen e Trump drejt Groenlandës në vitin 2018, siç u raportua për herë të parë nga gazetarët amerikanë Peter Baker dhe Susan Glasser në librin e tyre The Divider, miliarderi i kozmetikës duket se ka investuar shumë nga paratë e tij në territorin e Arktikut.
Të dhënat e korporatave daneze, tregojnë se një kompani me adresë në Nju Jork dhe pronarë të paidentifikuar, ka blerë në Groenlandë në muajt e fundit.
Një nga sipërmarrjet e saj është eksportimi i ujit “luksoz” të burimeve nga një ishull në Gjirin Baffin. Kur një gazetë daneze raportoi në dhjetor se Lauder ishte midis investitorëve, ajo citoi një biznesmen nga Groenlanda të përfshirë në këtë sipërmarrje. “Lauder dhe kolegët e tij në grupin e investitorëve, kanë një kuptim shumë të mirë të tregut të luksit dhe qasje në të”, tha ai.
Ky grup investitorësh thuhet gjithashtu se po kërkon të gjenerojë energji hidroelektrike nga liqeni më i madh i Groenlandës, për një shkritore alumini.
Është e paqartë se çfarë efekti mund të ketë një marrje nën kontroll e Grenlandës nga SHBA-të – me anë të pushtimit, blerjes apo bindjes – në interesat tregtare të Lauder atje.
Pas komenteve të Trump – pas dërgimit të trupave për të kapur dhëheqësin e Venezuelës – se SHBA-të kishin nevojë “shumë urgjente” për Groenlandën, kryeministri i Danimarkës paralajmëroi se veprimi ushtarak nga një anëtar i NATO-s kundër një tjetri, do ta shkatërronte aleancën.
Trump duket i palëkundur. “Do të bëjmë diçka me Groenlandën”, tha ai javën e kaluar, “ose në mënyrën e mirë ose në mënyrën më të vështirë”. Pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, ministri i jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, tha: “Nuk arritëm ta ndryshonim qëndrimin amerikan. Është e qartë se presidenti ka dëshirën për të pushtuar Groenlandën.”
Një marrëveshje për të shfrytëzuar mineralet e Ukrainës
Përfshirja e dukshme e Lauder në formësimin e politikës amerikane shton pyetjet në rritje rreth konflikteve të interesit gjatë mandatit të dytë të Trump dhe pasurimit të dukshëm të atyre që janë afër presidentit. Dy djemtë më të mëdhenj të Trump, Don Jr dhe Eric, kanë qenë në një fushatë globale për fitim parash nga Vietnami në Gjibraltar .
Ata këmbëngulin se ekziston një “mur i madh” midis aktiviteteve të tyre të biznesit dhe pozicionit të babait të tyre, si njeriu më i fuqishëm gjallë. Zëdhënësi i Trump ka thënë: “As presidenti dhe as familja e tij nuk janë përfshirë ndonjëherë, dhe as nuk do të përfshihen ndonjëherë, në konflikte interesi.” Por sundimtarët e huaj kanë lehtësuar pasurimin e familjes së parë, ndërsa ndonjëherë duket se kanë siguruar favorizimin e presidentit.
Megjithatë, Lauder dukej për një farë kohe sikur ishte ndarë nga miku i tij i vjetër.
Në vitin 2022, ndërsa nuk ishte në detyrë, Trump priti agjitatorin e ekstremit të djathtë Nick Fuentes në klubin e tij Mar-a-Lago. Lauder, i cili kryeson Kongresin Botëror Hebraik, iu bashkua dënimit. "Nick Fuentes është një antisemit i dhunshëm dhe mohues i Holokaustit, thjesht e qartë," tha ai . "Është e pakonceptueshme që dikush të shoqërohet me të."
Por, sapo Trump rifitoi Shtëpinë e Bardhë, Lauder rifilloi mbështetjen financiare. Në mars të vitit 2025, ai i dha 5 milionë dollarë Maga Inc, një operacion për mbledhjen e fondeve për lëvizjen e Trump. Muajin pasardhës, Lauder thuhet se ishte midis të ftuarve në një darkë ekskluzive me qirinj me presidentin. Biletat kushtonin 1 milion dollarë secila, të pagueshme për Maga Inc.
Deri atëherë, interesat e biznesit të Lauder, dukeshin përsëri se mbivendoseshin me politikën e administratës Trump.
Një letër e publikuar në nëntor 2023, e dërguar nga kreu i TechMet, një kompani minerare, drejtuar Volodymyr Zelenskyy, presidentit të Ukrainës, e përmendte Lauder si pjesë të një konsorciumi, që shpresonte të shfrytëzonte një depozitë litiumi në vendin e shkatërruar nga lufta.
Lauder tha në atë kohë se nuk i kishte diskutuar mineralet e Ukrainës me vetë Trumpin, por e kishte “ngritur çështjen me palët e interesuara në SHBA dhe Ukrainë për shumë vite deri në ditët e sotme”. Republikanët kryesorë iu bashkuan një fushate që SHBA-të të fitonin kontroll mbi burimet e jashtëzakonshme të Ukrainës. Trump u bë mbështetësi më i zëshëm i saj.
Javë pas donacioneve të Lauder për Maga Inc, Uashingtoni dhe Kievi nënshkruan një marrëveshje për të shfrytëzuar së bashku mineralet e Ukrainës. Kjo ndihmoi në ruajtjen e mbështetjes së Trump për Ukrainën pas fjalimit të tij televiziv në Zyrën Ovale kundër Zelenskyy për atë që ai e konsideroi mirënjohje të pamjaftueshme për mbështetjen e SHBA-së.
Depozita e litiumit ishte e para që u ofrua në kuadër të marrëveshjes së mineraleve. Këtë muaj, thuhet se konsorciumi Lauder e fitoi atë. TechMet, kompania që drejton konsorciumin, nuk pranoi të komentojë, ashtu si edhe Lauder. Partnerët e tij të biznesit në Groenlandë dhe Shtëpia e Bardhë nuk u përgjigjën kur u kontaktuan nga Guardian./ Guardian.