Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, SPAK kërkon burgim të përjetshëm për Altin Hajrin

SPAK kërkon burg përjetë për Altin Hajrin, i dyshuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Hajri po gjykohet në mungesë, pasi ai ndodhet në arrati.

Pas leximit të pretencës, seanca u shty pasi avokati i Hajrit ka kërkuar kohë për të përgatitur konkluzionet përfundimtare.

Jan Prenga u rrëmbye mesditën e 17 janarit 2020 pranë banesës së tij, në rrugën ‘London’ në Kamëz. Disa persona e dhunuan dhe e futën me forcë në një automjet, ndërsa 11 ditë hetime intensive e çuan policinë në një resorti në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit.

Sipas SPAK Hajri ka qenë në dijeni të rrëmbimit të Jan Prengës. Nga këqyrja e pamjeve filmike, ai ndodhej në kompleksin “Golden” në momentin kur mbërriti trupi i Prengës dhe madje është parë duke mbyllur qepenin e garazhit.

Hetimet kanë zbuluar se rrëmbimi i Jan Prengës lidhet me një sasi droge të vjedhur nga vëllai i tij në portin Portsmouth, në Angli. Altin Hajri ka pasur njohje me autorët e rrëmbimit dhe, sipas një letër-porosie të ardhur nga autoritetet holandeze, ai ka qenë më herët i dënuar në Holandë për trafik droge – dënim që e ka përfunduar në vitin 2019.

Gjithashtu, në provat e reja që i janë dorëzuar organit të akuzës përfshihen edhe komunikime të zhvilluara përmes aplikacionit SKY ECC, në të cilat Hajri ka biseduar me të pandehurit e tjerë të këtij procesi. Me Gentjan Funiqin, ai ka folur konkretisht për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.