Vrasja e Martin Çeços në 2022, Apeli i heq 'arrestin me burg' tre autorëve të dyshuar, skaduan afatet
Gjykata e Apelit në Tiranë ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për tre autorët e dyshuar të vrasjes së Martin Çeços.
Burime konfirmojnë se tre të dyshuarit, Valter Mollaj, kushëriri i tij Edlir Mollaj dhe çobani Bleti Angjo, janë liruar nga Gjykata e Apelit, pasi kjo e fundit ka konstatuar humbjen e fuqisë së paraburgimit, të caktuar në datën 20.06.2022, për shkak të tejkalimit të afatit maksimal të qëndrimit.
Hetimet për vrasjen vijojnë, por tre personat do të hetohen në kushtet e arrestit shtëpiak.
Lidhur me ngjarjen, rikujtojmë se 26-vjeçari Martin Çeçço u vra dhe më pas u hodh në rezervuarin e fshatit Kolanec të Maliqit, në qershor të vitit 2022.
Të tre u arrestuan pas dëshmisë së Tina Pajollarit, e cila vijon të jetë në burg lidhur me ngjarjen. Kjo e fundit u arrestua më vonë, pasi dyshohet se ka qenë e pranishme në momentin e vrasjes.