Mjegull dhe liqene të ngrira, acari ‘mbërthen’ Indinë veriore

Një valë e fortë e të ftohtit ka shtrënguar pjesë të mëdha të Indisë veriore, me temperatura që luhaten pranë zeros në disa shtete.

Të enjten, kryeqyteti Delhi regjistroi mëngjesin më të ftohtë deri më tani këtë dimër, me temperaturën që ra në 2.9 gradë Celsius.

Në shtetin fqinj Haryana, temperaturat në disa zona thuhet se ranë nën 1 gradë Celsius, me fotografi të makinave dhe motoçikletave të mbuluara nga ngrica, që u bënë virale në mediat sociale.

Moti i ftohtë ka vazhduar për katër ditë dhe pritet të vazhdojë deri të premten, sipas departamentit të meteorologjisë.

Një valë e ftohtë përkufizohet si temperatura minimale, që bien nën 4 gradë Celsius në fushat e Indisë veriore.

Kushtet e motit kanë prekur edhe oraret e fluturimeve, me anulimin edhe të disa shërbimeve të trenave. Në orët e para të së enjtes, aeroporti i Delhit paralajmëroi pasagjerët për vonesa të mundshme për shkak të dukshmërisë së dobët.

Shumica e shtëpive në fushat e Indisë nuk janë të projektuara për dimra të ashpër dhe nuk kanë ngrohje qendrore.

Vala e të ftohtit, vjen ndërsa cilësia e ajrit në shumë qytete në të gjithë rajonin mbetet në kategorinë e rrezikshme.

Gjatë dimrit, temperaturat e ulëta bllokojnë ndotësit afër tokës, duke zvogëluar dukshmërinë dhe duke përkeqësuar nivelet e ndotjes. Kjo mund të çojë në probleme me frymëmarrjen, veçanërisht tek grupet vulnerabël - siç janë fëmijët, të moshuarit dhe ata me probleme shëndetësore ekzistuese./ BBC.