Dy ditë më parë u arratis nga burgu/ Gjyqi për ‘Plumbin e Artë’, nën akuzë edhe Altin Ndoci: Ta gjejë policia...
Po zhvillohet gjatë ditës së sotme seanca gjyqësore në GJKKO për dosjen “Plumbi i Artë” ku nën akuzë është edhe Altin Ndoci I cili para dy ditësh është arratisur nga Burgu I Durrësit duke shfrytëzuar një vizitë mjekësore në spital.
“Gjyqi ka vijuar pa prezencën e të pandehurit dhe është mbrojtur nga avokati Aldo Shkëmbi”, mëson gazetari i Syri tv Fatjon Gjinaj
Avokati Aldo Shkëmbi: I kërkojmë gjykatës ti drejtohet policisë që të marrë masa për njoftimin e klientit. Ai mund të ndodhet edhe në banesën e tij, ne këtë nuk e dimë, e përderisa burgjet njoftojnë se nuk ndodhet aty. Për shkaqe proceduriale Policia e Shtetit duhet të bëjë njoftimin e tij.
Prokuroja Doloreza Musabelliu: Për të qenë korrekt, me fazat proceduriale ku i pandehuri i fshihet drejtësisë, duhet ti drejtohemi policisë për të qenë në dijeni se çfarë bëhet me urdhrin e arrestit që ka ndaj tij
Ndërkohë sipas gazetarit të Syri tv Fatjon Gjinaj, prokurori Behar Dibra ka sugjeruar që procesi gjyqësor të vijojë pa prezencën e Altin Ndocit.
Dibra: Nse ai ka patur dijeni për këtë seancë para arratisjes nuk përbën shkak për moszhvillimin e seancës. Fakti është që ai në seancat e shumta gjyqësore që janë bërë nuk është paraqitur përjashtuar në një rast, ka qenë zgjedhja e tij. Mund të ndodh që në ditët në vijim nga kërkimet policore mundet që mos të gjendet dhe arrestohet. Mund të ndodh edhe në seancat vijuese mos marrja dijeni. Vlerësojeni që të vazhdoj gjykimi në prani të avokatëve që e përfaqësojnë atë për të mos u bërë shkak për shtyrje të seancave
Avokati Aldo Shkëmbi: Vëmë në dijeni që në çdo seancë Altin Ndoci ka dhënë aprovimin ta përfaqësojmë, në këtë rast nuk e dimë. Kështu që të zbatohet procedura, të kërkohet për tu njoftuar, mund të ketë reflektuar.
Ndërkohë mësohet se Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën për dosjen “Plumbi i Artë”. Eshtë kërkuar që të përsëritet njoftimi përmes Policisë së Shtetit, drejtorisë vendore në Durrës, drejtorisë vendore të vendbanimit të Ndocit dhe komisariateve për të marrë konfirmim në zbatim të procedurave për gjetjen ose jo dhe të njoftimit.
Seanca e radhës u caktua me 20 janar ora 10:00.