'Bllokimi i vizave amerikane'/ Kedhi: Vendimi i SHBA-së për Shqipërinë, pjesë e strategjisë gjeopolitike të Trump
Një vendim i ri, që i jep qeverisë shqiptare një afat 90-ditor për të kryer “detyrat e shtëpisë”, shihet si një sinjal i qartë për administratën Rama dhe një lëvizje strategjike në kuadër të politikës së jashtme të presidentit Donald Trump.
I ftuar ditën e sotme ne 'Kafe Shqeto', Nikola Kedhi nga Departamenti “Brain Gain” PD tha se kjo lëvizje është pjesë e një strategjie më të gjerë të administratës Trump për të mbajtur balancën e pushtetit gjeopolitik në Perëndim dhe për të kundërshtuar influencat ruse e kineze në rajonin e Ballkanit.
Uashingtoni synon një Evropë dhe partnerë më të fortë, të cilët shërbejnë si shtylla të aleancës euroatlantike.
Në këtë kontekst, Kedhi u shpreh se çështjet si korrupsioni dhe cenimi i sigurisë kombëtare në Shqipëri konsiderohen pengesa që kërkojnë veprim të menjëhershëm. Ai shpjegoi se vendimi i fundit nuk është një kërcënim i izoluar, por një taktikë negociuese tipike për presidentin Trump.
Duke përfshirë një grup të gjerë vendesh nën një masë të ashpër fillestare, siç është kërcënimi për bllokimin e vizave, SHBA krijon një pozitë më të fortë për të negociuar individualisht me secilin shtet. Ky stil, i transferuar nga bota e biznesit në diplomaci, vendos presionin te pala tjetër për të përmbushur kërkesat e caktuara.
Ndryshe nga sa mund të mendohet, masat e reja nuk prekin vetëm Lotarinë Amerikane. Ekspertët e emigracionit sqarojnë se ky lajm prek të gjitha vizat emigruese, përfshirë ato për bashkim familjar (EB-1, EB-2, EB-3) dhe emigrimin nëpërmjet punësimit. Këto janë kategoritë nga të cilat qytetarët përfitojnë një “Green Card”. Vendimi lidhet gjithashtu me konceptin e “public charge” (barrë publike), duke sinjalizuar se abuzimet me sistemin e ndihmës sociale nuk do të tolerohen më.
Ndërkohë, aspirata e shqiptarëve për të emigruar mbetet e lartë. Statistikat tregojnë se numri i aplikantëve për Lotarinë Amerikane është dhjetëra herë më i lartë se 2600 vizat që ofrohen çdo vit.
Përveç SHBA-së dhe Kanadasë, destinacionet më të preferuara për shqiptarët në Evropë janë Gjermania, Austria dhe Norvegjia. Presioni i ri nga Uashingtoni shton një shtresë pasigurie për mijëra qytetarë që shohin Amerikën si një mundësi për një jetë më të mirë, duke e bërë të ardhmen e tyre të varur nga hapat që do të ndërmarrë qeveria në Tiranë.
Deklarata për 'Kafe Shqeto':
"Unë i quaj iniciativa pozitive se në thelb janë, kanë qëllimin që të zgjojnë Evropën dhe ta ta detyrojnë në një farë mënyre të braktisi këtë rrugën socialiste që kanë ndjekur sidomos dekadën e fundit edhe të të ringrihet, të shërbejë si një partner ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në për të mbajtur këto dy shtyllat e Aleancës Euroatlantike.
E njëjta gjë dhe me vendet e tjera ku janë këto çështjet e korrupsionit, cënimit të sigurisë kombëtare, të influencave ruse dhe kineze, siç është Ballkani.
Në vizionin e presidentit Trump, është i vendosur që balancën e pushtetit gjeopolitik ta mbajë në perëndim. Kjo për ne si shqiptarë është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme.
Ne nuk duam një rend botëror ku rregullat t'i shkruajë Kina, Rusia apo ku di unë, kushdo vend tjetër me një model që nuk është ai që ne duam.
Ne duam këtë modelin kapitalist, të tregut të lirë, të institucioneve të forta, të balancës së pushtetit, që për mirë ose për keq ka funksionuar ëh, në në pjesën më të madhe të historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe jemi të interesuar, pra, interesat tona përputhen me interesat amerikane në këtë aspekt, që Shtetet e Bashkuara të jenë të forta, perëndimi të jetë i fortë, dhe të vazhdojnë të jenë në në krye të të punëve të botës në një farë mënyre. Ndaj presidenti Trump atë që thotë e bën.