'Fundi i ëndrrës amerikane?'/ Fazlli shpjegon vendimin e administratës Trump

Një vendim i ri i administratës amerikane ka shkaktuar panik dhe konfuzion te qytetarët shqiptarë që aspirojnë të jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ekspertët sqarojnë se masat e reja nuk prekin të gjithë, duke bërë një ndarje të qartë mes atyre që kërkojnë të emigrojnë përgjithmonë dhe atyre që udhëtojnë për qëllime afatshkurtra.

E ftuar në emisionin "Kafe Shqeto", Ledia Fazlli, Konsulente vizash, theksoi për shqiptarët se vendimi i ri i administratës Trump për vizat emigruese ka shkaktuar panik dhe konfuzion, por sqaroi se masat e reja nuk prekin të gjithë qytetarët.

Ajo shpjegoi se ndryshimet ndodhin vetëm për ata që aplikojnë për emigrim të përhershëm, si në rastin e Lotarisë Amerikane, bashkimit familjar dhe vizave të punësimit afatgjatë, që mundësojnë marrjen e një “Green Card”.

Nga ana tjetër, vizat turistike dhe studentore nuk janë të prekur nga këto rregulla të reja, duke qetësuar ata që duan të udhëtojnë për qëllime të shkurtra. Fazllia theksoi gjithashtu se ky vendim është i lidhur me shqetësimet për sigurinë dhe përqindjen e lartë të qëndrimit të paligjshëm pas skadimit të vizave nga qytetarët shqiptarë dhe kosovarë.

Pjesë nga deklarata:

Domethënë, mesazhet dhe telefonatat e klientëve të zyrës, por edhe të qytetarëve të ndryshëm që e kanë parë lajmin, sigurisht që i kanë marrë në telefon, duke qenë se lajmi ishte i shkurtër. Duke qenë se lajmi ishte i shkurtër dhe nuk kishte shumë shpjegime për këtë çështje, kishte edhe nga ata që e kishin kuptuar gabim. Kishte nga ata që pyesnin për vizën turistike, kishte studentë që telefonuan, dhe akoma edhe sot, në orët e para të mëngjesit, pati njerëz që dëshironin të përballeshin nga afër dhe të diskutojnë në lidhje me këtë.

Duhet thënë që ky nuk është një lajm që prek vizat jo-emigruese. Është një lajm që prek vetëm vizat e emigrimit. Pra, vizat e studentëve dhe vizat turistike nuk preken nga ky vendim.

Kështu që shqiptarët që duan të shkojnë në Amerikë për turizëm, apo për të parë Botërorin, duhet të qëndrojnë të qetë, pasi ky vendim nuk i prek ata. Po ashtu, shumë nga ata që dëshironin të shkonin për të ndjekur skuadrën e zemrës në Botëror, gjithashtu nuk do të ndodhin pengesa për ta.

Ndërsa ata që janë përpjekur të aplikojnë për lotarinë amerikane dhe janë të shumtë, duhet të theksohet se ata kanë marrë përgjigjen javën e kaluar ose dy javë më parë, kur sekretarja e sigurisë për shtetin foli për pjesën e filtrimit ose të pezullimit të përkohshëm përsa i përket sigurisë. Pra, një pjesë e vendimit ka të bëjë me sigurinë, dhe një tjetër pjesë tani është lidhur me ekonominë. Ky është një filtrimi që ka përfshirë 41.3% për Shqipërinë dhe 46% për Kosovën. Ky ishte një lajm i rëndë dhe shqiptarët u alarmuan që atëherë, kur dëgjuan statistikën, dhe pastaj erdhi lajmi pasardhës që alarmoi Shqipërinë.

Statistikisht, nuk mund të them shifrat me saktësi, por është një përqindje shumë e lartë. Di që, nga lotaria amerikane, çdo vit jepen diku te 2600 viza. Ky numër është shumë i lartë, ndoshta 10 herë më shumë, mund të jetë 100 herë më shumë. Ky është një numër i madh. Ndoshta është 10-fish, por edhe më shumë se kaq.

Po, nuk është vetëm lotaria amerikane programi që jep mundësinë për të marrë një green card. Ka edhe programe të tjera, si bashkimet familjare dhe emigrimi nëpërmjet punësimit. EB1, EB2, EB3 janë viza që preken gjithashtu nga ky vendim.

Patjetër, ky lajm prek të gjitha vizat emigratore, ato që u mundësojnë qytetarëve që të shkojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përfitojnë një green card, dhe patjetër që ata do të mund të përfitojnë edhe ndihmën sociale më pas. Ky është koncepti i "public charge", që ka qenë pjesë e ligjit amerikan për dekada të tëra.

Përsa i përket Evropës, Gjermania është patjetër një destinacion i rëndësishëm, pastaj Austria dhe Norvegjia. Anglia gjithashtu mbetet një destinacion kryesor dhe nuk ka hequr kërkesën për shqiptarët. Amerika sigurisht është ndër më të preferuarat, dhe pas saj vijnë Kanadaja, ndërsa Australia është më pak e kërkuar. Ata që aplikojnë për autorizim udhëtimi për në Greqi përdorin ESTA, po ashtu dhe shtetet që bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian kanë një autorizim të thjeshtë udhëtimi për të udhëtuar. Ky autorizim ka të bëjë vetëm me vizat e turizmit, jo me vizat emigruese dhe ato që japin të drejtën e punësimit.