Shikoni momentin e transferimit të të burgosurve të rrezikshëm nga burgu i VIP-ave në Durrës

Syri.TV siguron pamjet e operacionit të transferimit I të burgosurve me rrezikshmëri tepër të lartë nga burgu i Durrësit drejt burgjeve të tjera.

Transferimi u krye pak pas mesnate (14 janar 2026), nën shoqërimin e dhjetëra mjeteve policore, me masa të shtuara sigurie dhe protokolle të rrepta, ndërsa kolona mbërriti në ambientet e burgut të Peqinit rreth orës 00:15.

Transferimet janë bërë edhe në burgun e Fierit.  Syri.TV siguron dhe videon e momentit kur makinat e blinduara transferojnë të burgosurit drejt IVEP të Fierit.

Vendimi për zhvendosjen e të burgosurve me rrezikshmëri të lartë erdhi menjëherë pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit.

Në fokus të operacionit ishin personat me rrezikshmëri të lartë, të cilët deri më tani qëndronin në Burgun e Durrësit, institucion i njohur ndryshe edhe si “burgu i VIP-ave”, për shkak të kushteve dhe profilit të disa të dënuarve.

Fillimisht ishte paralajmëruar që një pjesë e të burgosurve të transferoheshin drejt burgut të Fierit apo institucioneve të tjera, por më të rrezikshmit janë përzgjedhur të sistemohen në Peqin, burg që ka seksion të posaçëm të sigurisë së lartë dhe kontroll maksimal.

Burime jo zyrtare bëjnë me dije se 206 të dënuar dhe paraburgosur të Burgut të Durrësit janë kaluar në “sitë”, për të vlerësuar nivelin e rrezikshmërisë së secilit.

Pika kyçe e urdhrit ishte largimi i të gjithë personave me rrezikshmëri të lartë nga burgu i Durrësit, i cilësuar shpesh për kushtet e tij më komode, dhe sistemimi i tyre në një nga 7 burgjet e sigurisë së lartë që funksionojnë në Shqipëri.

Deri para këtij vendimi, në një seksion të veçantë në Burgun e Durrësit ndodheshin 27 persona me rrezikshmëri të lartë, pjesë e një total prej 54 të dënuarve dhe 152 paraburgosurve.

Arratisja e Altin Ndocit i akuzuar për disa krime të rënda u bë katalizatori që vuri në lëvizje këtë operacion të gjerë.

Operacioni i transferimit drejt Peqinit shihet si një sinjal i fortë i shtetit për rikthimin e kontrollit dhe rritjen e sigurisë në sistemin penitenciar, veçanërisht pas rasteve të përsëritura të shkeljeve dhe gjetjes së telefonave celularë të fshehur gjatë kontrolleve në Burgun e Durrësit.

Aktualisht, në Shqipëri funksionojnë 20 institucione të vuajtjes së dënimit, nga të cilat 7 kanë seksione të sigurisë së lartë, ku tashmë po përqendrohen elementët më problematikë të botës së krimit.

Ndërkohë vijojnë kërkimet për arrestimin e Altin Ndocit.

Arratisja e bujshme e personazhit që në botën e krimit konsiderohej ushtar i klanit Ccopja, ndodhi më 13 janar 2026, vetëm pak metra lart drejtorisë së Policisë së Durrësit, ku po kremtohej 113 vjetori i Policisë së Shtetit.

Kjo ngjarje e rëndë, solli dhe koka turku, me argumentin e shkeljes së rregullave nga Policia e Durrësit që nuk kishte marrë masat e duhura të  sigurisë, pasi   edhe në pamjet e siguruara nga Syri Tv kur zbret nga autoambulanca  Altin Ndoci nuk ka as pranga në duar.

U arrestuan 8 zyrtarë, mes të cilëve shefi i policisë burgut në Durrës Dezdemon Pazaj, 5 gardianë, specialistja e informacionit dhe Kyreinfermieri i Infektivit që kishte përcaktuar diagonozën e tij