Lagjet në Gjirokastër të izoluara për shkak të rrëshkitjeve të dheut nga moti i keq
Lagjet Manalat i Parë dhe Çfakë në qytetin e Gjirokastrës janë izoluar prej ditësh si pasojë e një rreshkitjeje masive dheu, e shkaktuar nga reshjet e dendura të ditëve të fundit.
Situata në këto lagje është shumë e rrezikshme, pasi terreni mbetet i paqëndrueshëm dhe nuk mund të realizohen ndërhyrje me mjete të rënda.
Specialistët theksojnë se për të ndërmarrë çdo veprim, është e nevojshme të pritet raporti i gjeologjisë, i cili do të përcaktojë nëse zona është e sigurt për punime dhe do të japë rekomandimet për masat që duhet të merren për të shmangur rreshkitje të tjera të mundshme.
Në këto kushte, banorët e lagjeve Manalat i Parë dhe Çfakë janë të izoluar, pa akses të drejtpërdrejtë në rrugët kryesore, duke hasur vështirësi të mëdha për furnizime, shërbime emergjente dhe lëvizje të përditshme. Po ashtu, rreziku i rreshkitjes masive mbetet i pranishëm mbi shtëpitë e tyre.
Autoritetet lokale janë në gatishmëri për të ndërhyrë sapo të vijnë informacionet e nevojshme nga specialistët, ndërsa situata vazhdon të monitorohet me kujdes.