Mjegulla e dendur vështirëson qarkullimin në Kukës

Mëngjesin e sotëm, qyteti i Kukësit është zgjuar i mbuluar nga mjegull e dendur, pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe dëborës që ranë gjatë gjysmës së parë të muajit janar.

Për shkak të dendësisë së lartë, mjegulla ka reduktuar ndjeshëm fushëpamjen, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve në kalimin e rrugëve, si dhe qarkullimin e automjeteve.

Mjegull e dendur ka përfshirë gjithashtu segmentet e rrugëve nacionale dhe rurale, duke e bërë qarkullimin e mjeteve më të vështirë, veçanërisht në zonat e larta malore ku ka ende prezencë dëbore në akse rrugore.

Muaji janar në Kukës karakterizohet shpesh nga prania e fenomenit të mjegullës së dendur, ku orët e para të mëngjesit dhe ato të mbrëmjes janë periudhat me intensitet dhe dendësi më të lartë.

dërkohë, subjektet kontraktore vijojnë punën gjatë gjithë kohës për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, kryesisht në segmentet ku janë evidentuar problematika gjatë periudhës me reshje shiu dhe dëbore.

Sipas informacioneve zyrtare, të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme.

Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk ka raportime për problematika.