Tensionet me SHBA-në, Irani mbyll hapësirën ajrore

Irani ka mbyllur përkohësisht hapësirën e tij ajrore për të gjitha fluturimet, përveç atyre ndërkombëtare për në dhe nga vendi që kanë leje, pas paralajmërimeve për një ndërhyrje të mundshme nga Shtetet e Bashkuara, sipas një NOTAM-i të ri të publikuar në faqen FlightRadar.

Ky njoftim, i cili do të jetë në fuqi për pak më shumë se dy orë, shërben si paralajmërim urgjent për pilotët lidhur me rreziqet dhe kushtet e hapësirës ajrore.

Vendimi i Teheranit vjen në një kohë tensionesh të shtuara. Sipas NBC News, përgatitjet për një veprim ushtarak të mundshëm amerikan kanë nisur këtë javë. Mediumi raporton se presidenti amerikan Donald Trump të martën i ka shpjeguar ekipit të tij të sigurisë kombëtare objektivat që synonte të arrinte me çdo ndërhyrje të SHBA-së ndaj Iranit.

Ndërkohë, Pentagoni ka përshtatur disa opsione për të përmbushur këto objektiva, të cilat pritej t’i paraqiteshin Trump të mërkurën. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë theksoi se “të gjitha opsionet janë në dispozicion të Presidentit Trump për të adresuar situatën në Iran”, ndërsa një tjetër zyrtar shtoi se Trump është informuar për numrin e protestuesve të vrarë dhe ka kërkuar më shumë informacion mbi këtë temë.