Piqué tallet keq me rivalin e dikurshëm: Debutim i mirë, 3-2!
Rivaliteti i vjetër mes Gerard Piqué-së dhe Álvaro Arbeloas është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë pas eliminimit të bujshëm të Real Madridit nga Kupa e Mbretit. Pas humbjes 3-2 ndaj Albacetes, në ndeshjen e parë të Arbeloas si trajner i “Los Blancos”, ish-mbrojtësi i Barcelonës nuk humbi rastin për të ironizuar ish-rivalin e tij.
Gerard Piqué dërgoi një mesazh në grupin e ËhatsApp-it të presidentëve të Kings League, ku me tone tallëse shkroi: “Debutim i mirë, 3-2”. Komenti u bë menjëherë publik gjatë transmetimit nga figura të njohura të rrjeteve sociale si Spursito, DjMaRiio dhe Adri Contreras, duke shkaktuar reagime të shumta dhe polemika mes tifozëve.
Mesazhi i Piqué-së u interpretua si një tallje e hapur ndaj Arbeloas, sidomos duke pasur parasysh historinë e tensionuar mes dy ish-lojtarëve. DjMaRiio, i njohur si tifoz i Real Madridit, reagoi ashpër gjatë transmetimit, duke shprehur pakënaqësinë për sjelljen e ish-mbrojtësit katalanas.
Rivaliteti mes Piqué dhe Arbeloas ka rrënjë të thella që nga koha e “El Clásico”-ve të zjarrta mes Barcelonës së Pep Guardiolës dhe Real Madridit të José Mourinhos. Në vitin 2015, Piqué pati deklaruar në mënyrë ironike se Arbeloa nuk ishte miku i tij, por thjesht “një i njohur”, një frazë që u bë virale dhe vazhdon të kujtohet edhe sot.
Nga ana tjetër, Arbeloa kishte reaguar po aq ashpër në të kaluarën, duke thënë se nuk do të shkonte kurrë për drekë me Piqué. Episodi i fundit vetëm sa konfirmon se rivaliteti mes tyre mbetet i gjallë, edhe pse të dy tashmë janë larg fushës së lojës.