Real Madridi eliminohet nga Albacete, debutim i zi për Arbeloan
Një mbrëmje për t’u harruar për Real Madridin në Kupën e Mbretit. “Los Blancos” pësuan një humbje tronditëse 3-2 në transfertë ndaj Albacetes, skuadër e kategorisë së dytë, dhe u eliminua që në fazat e hershme të kompeticionit. Goli vendimtar erdhi në minutën e 94-t, duke vulosur një dështim të bujshëm dhe një fillim shumë negativ të epokës pas Xabi Alonsos.
Sfida shënoi debutimin e Álvaro Arbeloas në pankinën e Real Madridit. Trajneri i ri vendosi të kursejë shumë titullarë, mes tyre Kylian Mbappé-në dhe Jude Bellingham-im, ndërsa nga minuta e parë aktivizoi Vinícius Júnior. Megjithatë, zgjedhjet e Arbeloas nuk dhanë efektin e dëshiruar. Albacete kaloi në avantazh në minutën e 42-të me Villar, duke shfrytëzuar një moment pasigurie të mbrojtjes madrilene.
Reagimi i Realit erdhi në fundin e pjesës së parë, kur Mastantuono barazoi rezultatin në minutat shtesë, duke rikthyer përkohësisht qetësinë. Në pjesën e dytë, megjithatë, protagonisti absolut ishte Betancor. Sulmuesi i Albacetes shënoi dy gola vendimtarë, fillimisht në minutën e 82-të dhe më pas në minutën e 94-t, duke ndezur festën e tifozëve vendas.
Në mes të dy golave të Betancor-it, Real Madridi kishte gjetur sërish barazimin me Gonzalo Garcian në minutën e 91-të, por shpresa zgjati shumë pak. Humbja 3-2 shënon një eliminim të papritur dhe një sinjal alarmi për klubin “Merengues”, ndërsa debutimi i Arbeloas regjistrohet si një fillim tepër zhgënjyes në Kupën e Mbretit.