Liverpooli mund ta padisë Arsenalin pas incidentit të rëndë me Bradleyn
Liverpooli mund të ndërmarrë veprime ligjore kundër Arsenalit pas incidentit të diskutuar në përfundim të sfidës (0‑0) në Emirates Stadium, ku mbrojtësi i “Të Kuqve” Conor Bradley pësoi një dëmtim serioz që do ta lërë jashtë fushave për pjesën e mbetur të sezonit.
Momentet vendimtare ndodhën në fund të ndeshjes, kur Bradley u dëmtua teksa po tentonte të largonte topin në krahun e djathtë dhe ra në tokë me dhimbje të forta.
Në këtë situatë, sulmuesi i Arsenalit, Gabriel Martinelli, i futur nga stoli, e hodhi topin mbi Bradleyn dhe më pas e shtyu jashtë vijës anësore, duke menduar se mbrojtësi po vononte rifillimin e lojës.
Veprimi i tij shkaktoi reagim të ashpër në fushë dhe ai u ndëshkua me karton të verdhë.
Më vonë u konfirmua se Bradley kishte pësuar një dëmtim të rëndë në gju, i cili kërkoi ndërhyrje kirurgjikale dhe e përjashtoi atë nga pjesa e mbetur e sezonit.
Liverpooli ka konfirmuar gjithashtu se lojtari do të qëndrojë jashtë fushave për një kohë të gjatë.
Edhe pse Martinelli kërkoi falje publike në rrjetet sociale dhe zbuloi se kishte shkëmbyer mesazhe me Bradleyn, incidenti ka mbetur subjekt diskutimi intensiv në futbollin britanik.
Sipas ish‑gjyqtarit të Premier League dhe ish‑kryesuesit të PGMOL‑it, Keith Hackett, Liverpooli mund të marrë masa ligjore ndaj Arsenalit për këtë episod.
Hackett vuri në dukje se në futboll ekziston një “detyrim kujdesi” ndaj kundërshtarëve dhe se klubi mund të mundohet ta padisë skuadrën rival për humbjen e lojtarit të tij.
“Ajo që ndodhi është pikë e vlefshme për t’u ngritur, sepse në futboll, lojtarët kanë një detyrim kujdesi ndaj kundërshtarëve”, tha Hackett, duke shtuar se një klub mund të përpiqet të kërkojë dëmshpërblim për humbjen e shërbimeve të një lojtari kyç.
Pyetja në fokus është nëse Liverpooli do të shkojë përtej kritikave dhe do të ndërmarrë një hapat juridikë zyrtarë, apo do ta lërë çështjen të mbyllet jashtë gjykatave.